Nafta po dëmton peshkimin, rritja e çmimit ndal flotën, peshkatarët paralajmërojnë protesta

05/05/2026 12:28

Sektori i peshkimit në Durrës po përballet me një situatë kritike, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.

Flota e peshkimit ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin e saj dhe dhjetëra mjete qëndrojnë të ankoruara në port.

Çmimi i naftës është rritur shumë dhe flota ka hyrë në krizë mjaft të thellë… nuk ka asnjë reagim dhe asnjë mbështetje. Varkat janë të gjitha të bllokuara në port…”, shprehet Klodian Kapiti, kreu i sindikatës së peshkimit.

Mblidhemi pas shumë vitesh për të njëjtën histori. Me 110 leke që ka shkuar nafta ne nuk mund të vazhdojmë punën. Nafta na zë mbi 50% të kostos. Sot jemi jashtë çdo llogarie….”, shprehet Besim Troplini, pronar peshkarexhe.

Në pamundësi për të përballuar shpenzimet, rrezikohet edhe fuqia punëtore. Peshkatarët e huaj, kryesisht nga Egjipti, paralajmërojnë largimin pasi nuk mund të mbajnë familjet e tyre në këto kushte.

Nafta shumë e shtrenjtë, nuk ka punë kështu. Nuk dalim në det. Maksimumi 2-3 ditë ikim në Egjipt”, shprehet një peshkatar nga Egjipti.

“Nuk ka lekë… të gjithë gati për t’u kthyer në Egjipt. Nuk mbaj dot kalamajtë as me bukë, as me çorape. Shteti duhet të ndihmojë.”, thotë një tjetër peshkatar nga Egjipti.

Peshkatarët kërkojnë që çmimi i naftës të përfshihet në skemën e transparencës dhe të subvencionohet nga shteti. Bisedimet me Ministrinë e Bujqësisë nuk kanë sjellë deri tani asnjë zgjidhje konkrete. Ndaj në mungesë të reagimit, ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave të tyre.

Top Channel