Simeone nuk kërkon alibi: Penalltia ndaj Griezmann? Ndonjëherë edhe arbitrat gabojnë…
Verën e kaluar për shumë kohë ishte në shënjestrën e Interit, këto ditë emri i tij lidhet me Chelsea, por Cesc Fabregas nuk ka ndërmend të largohet nga Como dhe shpjegon motivet e kësaj zgjedhjeje në një intervistë për të përditshmen ‘Daily Telegraph’.
‘Premier League është kampionati më i mirë në botë. E kam ndjerë këtë kur isha futbollist, e ndjej si trajner dhe si tifoz-tha Fabregas-por Mourinho në kohët e Chelsea më tha: ‘kam akoma 30 vjet karrierë’. Kështu mund të qëndroj te Como edhe për 10 vjet dhe të shkoj në Premier League pas 12, 15 vitesh. Futbolli është i paparashikueshëm, ndryshon në sekondë. Një ditë je më i miri, ditën tjetër me i keqi. kështu që të shijojmë momentin. Kjo që po përjetojmë në Como është diçka shumë e bukur, të shohim se ç’na rezervon e ardhmja’.
Projekti Como.
‘Këtu marr të gjitha vendimet futbollistike. Drejtori Sportiv është çdo ditë përkrah meje dhe e shohim futbollin në të njëjtën mënyrë. Për blerjet punojmë me të dhënat, kemi vëzhguesit tanë, por pastaj duhet të jenë futbollistë për të cilët jam i bindur. Jam i lumtur dhe me fat që të kem një president që beson te unë dhe që më lë të marr vendime futbollistike. Kjo për mua është thelbësore. Palestrën e kam dizenjuar unë bashkë me arkitektët. Kam skicuar xhamin përballë, një gjë që e kam mësuar nga ëenger. Palestra duhet të jetë nga fusha. Ndërtesa ku konsumojmë vaktet. Për stadiumin thashë se kemi nevojë për një fushë më të madhe duke qenë se jemi një skuadër që duam zotërimin e topit. Kështu që e zgjerova. Për ndonjë mund të jetë budallallëk, por 1 m mund të bëjë diferencën kur tenton të përdorësh gjerësinë’-vijoi Fabregas
Mënyra e stërvitjes
‘Stërvis në mënyrën që ndjej unë. E dua lojën, nëse do të duhet të stërvisja vetëm për rezultatin, nuk do ta bëja këtë profesion. Kam luajtur për 20 vjet futboll, kam fëmijë, bashkëshorte dhe të gjithë kanë një jetë të bukur. Kam luajtur për klube të mëdha dhe nuk do ta kisha të nevojshme ta bëja këtë. Por e bëj për pasion në mënyrën time. Sigurisht duhet të përshtatësh futbollistët, por në fund të ditës ke bindjet e tua. Nuk do të mund të stërvisja kurrë një skuadër me pasimet e gjata, duhet të besosh në atë që bën. Mund të fitosh në çdo mënyrë, mjafton të bindësh futbollistët që është mënyra e duhur. Por unë kam besimin tim’-tha Fabregas.
Vendimi për të nisur karrierën e trajnerit
‘Gjatë Covid. Në Francë, kampionati u ndal për 4 muaj. Po të mos ishte Covidi nuk do të merrja vendimin për të marrë licencën UEFA. Pa atë periudhë nuk do të isha gati kaq shpejt. Ndoshta disa persona kanë pasur kohë të planifikonin karrierën e tyre si trajner. Unë jo. U tërhoqa dhe në mënyrë të papritur u bëra trajner. Papritur u ngjitëm e kështu me radhë. Kështu që nuk kam pasur kohë të mendoj për një plan të saktë. Më pëlqen ajo që bëj. Jam në një vend shumë të bukur me persona fantastikë që më lënë të punoj dhe kanë besim te unë’-vijoi trajneri spanjoll.
Refuzimi i kombëtares.
‘Jo. Sepse më pëlqen të stërvis. Dua të jem çdo ditë në fushën e lojës. Dua të rri me futbollistët e rinj. Dua sesionet individuale. Dua gjithçka’-përfundoi Cesc Fabregas
Top Channel