Nora Malaj, e ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, u shpreh se shqetësimi qëndron edhe te edukimi i shoqërisë, ndërsa se kur mori vesh lajmin, u shpreh se “i ngeci buka në fyt”.
“Prapa jush është një pamje që tregon një top, dëshirat e fëmijëve, një kaos total, disa rrugë të prishura, një makinë mbi trotuar dhe vdekja. Kur lindim gëzojmë pafund dhe themi na erdhi fëmija në jetë. Dje kur dëgjuam ngjarjen ‘na ngeci buka në fyt’. Mendojmë edhe për fëmijët e fëmijëve tanë. Ndjeshmëria bëhet edhe më e madhe kur ti e njeh edhe zonën. Ata kanë ardhur pas viteve ’90 për një jetë më të mirë dhe papritur ti përballesh me një situatë kur vdekja merr 2 dhe të tretin e ka vendosur në atë dramë të madhe. Se njeriu vjen një moment që edhe forcën nuk di ku ta kërkojë.
Po kush e ka bërë gjëmën? E ka bërë ai njeriu që ti e ndesh në të përditshmen tënde. Ai njeriu i njohur si ‘bisha’, ‘bisha’ që do të thotë i tmerrshmi, shkatërruesi dhe i paprekshmi. Ky individ, komuniteti thotë këtë nuk e prekim dot se është ‘bisha’. Dhe këtë vetëglorifikim, fillon ajo që quhet tragjedia jonë, tragjedi kombëtare. Nëse do të shohësh si funksionon një shtet, shih si ecin makinat në rrugë. U bënë 36 vite që po flasim për edukim dhe kemi në mes të Durrësit ende pa trotuare, pa qendra sporti, pa vende për të luajtur fëmijët. Nuk është betoni dhe trotuari një vend për të luajtur.
Një ditë të bukur vjen një qytetar që ka marrë një makinë shumë të mirë dhe të merr jetën. Ndërsa ai ikën nga vendi dhe nuk e kthen kokën. Bëhet fjalë që liria jote mbaron atje ku fillon liria e tjetrit. Kemi luftuar shumë fort që të rregullojmë shoqërinë. Në vend që të vëmë vetullat, po nxjerrim sytë. Një herë në dy ditë në media dalim dhe flasim për ngjarje tragjike. Lajmi ynë është o vdekje o trishtim”, u shpreh pedagogia Nora Malaj.