Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor Shpend Sokolin, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.
Vendimi, i dhënë më 4 maj 2026, i cakton Sokolit një dënim prej 3 vjet e 8 muaj burgim, pas zbritjes së 1/3 të masës së dënimit për gjykimin e shkurtuar.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që Sokoli të vuajë dënimin në një burg me siguri të lartë dhe ka konfiskuar fondet e tij në platformën Binance. Shpenzimet procedurale do t’i ngarkohen të pandehurit, ndërsa provat materiale të sekuestruara do t’u kthehen personave që u përkasin. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë bashkëpunuar me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë FBI-n, në lidhje me aktivitetet e paligjshme online të Shpend Sokolit.
Sokoli, nga Kosova, ishte një nga zhvilluesit dhe bashkëpronari i kompanisë shqiptare Scythe Labs, e lidhur me tregun online të njohur kriminal Rydox. Ky treg i nëndheshëm ofronte shitjen e kredencialeve për email, llogari e-commerce dhe informacion personal të përdoruesve, duke përfshirë mbi 18,000 llogari.
Hetimet treguan se Sokoli, së bashku me dy persona të tjerë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, kryenin këto aktivitete kriminale, duke përfituar financiarisht nga përdorimi i platformës Rydox. Hetimi filloi në nëntor 2022 nga FBI dhe u mbështet nga dokumentacioni dhe provat materiale të siguruara në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
SPAK vëren gjithashtu se marrëdhënia ndërmjet të tre bashkëpunëtorëve është e dokumentuar që nga viti 2016, duke treguar qartë mënyrën se si u ndërtua dhe funksionoi tregu Rydox, si dhe përfitimet materiale që Shpend Sokoli synonte nga bashkëpunimi.
Ky vendim i SPAK dhe gjykatës shënon një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit kibernetik dhe tregjeve të paligjshme online, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet ndërkombëtare për ndjekjen e veprave penale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.
Top Channel