U plagos rëndë nga përplasja me makinë, i mituri është jashtë rrezikut për jetën
Një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve në Spitallë të Durrësit, dhimbja mbetet e fortë. Ndërsa familjarët dhe të afërm e qytetarë përgatiten për t’i dhënë lamtumirën e fundit të vegjëlve, dalin në dritë detaje të reja.
Hetimet kanë zbuluar se drejtuesi i automjetit, Nikoll Radaçi, ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas përplasjes së fëmijëve, mjeti u ndal vetëm pas përplasjes me një automjet të parkuar pranë lokalit. Radiçi u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap pak më vonë nga uniformat blu.
Në Komisariat, pasi i ka kaluar gjendja e dehjes, ai ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se nuk mban mend asgjë nga momenti i aksidentit.
Të dhënat tregojnë se më herët atij i ishte pezulluar leja e drejtimit për një muaj dhe ishte ndëshkuar me gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit. Në këtë rrugë, nuk ka as kufizues shpejtësie.
Banorët e zonës e përshkruajnë si një drejtues problematik, autorin e dyshuar, por dhe persona të tjerë duke ngritur shqetësime për mungesën e kontrollit dhe sigurisë në rrugët e lagjeve.
Banorët kërkojnë masa më të forta ndaj drejtuesve që qarkullojnë në gjendje të dehur, por edhe më shumë vëmendje për krijimin e hapësirave të sigurta për fëmijët.
Kjo tragjedi ka kthyer sërish në fokus jo vetëm përgjegjësinë individuale në përdorimin e rrugës, por edhe problemet e sigurisë rrugore në zonat e banuara.
Top Channel