“Historik për shumë arsye”/ Vendimi i Gjykatës së Lartë, Kreshnik Spahiu në Top Story: Nuk përfitojnë politikanët

04/05/2026 23:09

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vendosur ditën e sotme të kufizojnë praktikën e deritanishme të dhënies së masës “arrest me burg” për personat e akuzuar nga prokuroria në pritje të vendimit të gjykatës.

Në bazë të këtij vendimi, do të lehtësohet praktika për ‘arrest në burg’ për gjykatën, ndërsa prokurorët duhet të argumentojnë masën.

Avokati Kreshnik spahiu është shprehur në Top Story se ky vendim është historik dhe se nuk do të jenë subjektet politike ato që do të përfitojnë.

“Vendimi është historik për shumë arsye. Shqipëria ka një rekord negativ me çdo vend të BE-së. Çdo shtet i BE-së, raportin të paraburgosur me të burgosur, në rastin më të keq të mundshëm e ka 30 me 70. 30% të paraburgosur dhe 70% të burgosur. Rastet e tjera janë 90 me 10.

Masa e paraburgimit, me të drejtë ka ndërhyrë Gjykata e Lartë. Prokuroria duhet të arsyetojë në vijueshmëri, në çdo fazë të procedimit se përse e mban masën e arrestit.

Ajo duhet të jetë në përputhje, rrezikshmëria shoqërore e personit, me atë të veprës penale.

Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm politikanët. Politikanët përfitojnë vetëm 0.1% nga kjo.

Unë e njoh mentalitetin e gjyqtarëve, janë shumë të kujdesshëm në çështjet e politikanëve. Nga ky vendim, mund të ekzistojë rreziku që të lëshohet dora, edhe aty ku nuk duhet. Ata gjyqtarët nuk do të cedojnë dhe do të jenë shumë korrekt te çështjet e politikanëve. Prandaj them që në 99.99% do të përfitojnë subjektet. Subjekte politike ke 2-3 sot që do i nënshtrohen, Ilir Meta, Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj. Janë tre në 2500 këta. Edhe sikur të treve t’i ndryshohet masa, nuk ndryshon te ata 2500”, tha ndër të tjera Spahiu.

Top Channel