Kreditë rëndojnë familjet, dobësohet aftësia paguese, rritet pesha e huave mbi buxhetet familjare

03/05/2026 12:22

Rritja e lehtë e familjeve që marrin kredi nuk po shoqërohet me një përmirësim të gjendjes së tyre financiare.

Përkundrazi, të dhënat më të fundit tregojnë një situatë më të brishtë, qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të shlyejnë detyrimet mujore.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë të prezantuar në raportin e stabilitetit financiar, rreth 17% e familjeve kanë aktualisht një kredi për të paguar. Ndërsa kjo peshë është rritur lehtë, aftësia paguese ka pësuar dobësim. Një sinjal i qartë presioni vjen nga fakti se gjithnjë e më shumë familje po kalojnë pragun kritik të shpenzimeve.

“Pesha e familjeve për të cilat pagesa e huasë tejkalon 30% të të ardhurave ka shënuar rritje dhe kjo ecuri sugjeron për një rritje të ngarkesës së huasë së familjeve gjatë periudhës”, deklaron Banka e Shqipërisë.

Edhe ata që më parë e përballonin lehtë kredinë, sot ndihen më të ekspozuar. Rreth 78% e familjeve deklarojnë se pagesa e huasë zë më pak se 30% të të ardhurave, por ky tregues është në rënie, çka tregon se buxhetet familjare po ngushtohen.

Nga ana tjetër perceptimi për të ardhmen nuk është aspak optimist. Edhe pse shumica deklarojnë se situata nuk ka ndryshuar, indekset tregojnë për përkeqësim dhe pritje më të dobëta për muajt në vijim.

“Indekset e aftësisë paguese për gjashtëmujorin e kaluar dhe për gjashtë muajt e ardhshëm, të cilat agregojnë përgjigjet e familjeve që presin të kenë ndryshime në aftësinë e tyre paguese, tregojnë për përkeqësim të këtij treguesi në periudhën e vrojtuar, dhe pritje më pak optimiste për periudhën e ardhshme”, thotë Banka.

Në këtë klimë pasigurie, edhe kërkesa për kredi mbetet e zbehtë. Rreth 63% e familjeve nuk planifikojnë të marrin një hua të re në gjashtë muajt e ardhshëm.

Një sinjal i qartë se për shumë qytetarë, problemi nuk është më marrja e një kredie të re, por mbijetesa me atë që kanë tashmë.

Top Channel