Rreth 5 mijë biznese në Durrës pritet të përfitojnë nga paqja fiskale, një nismë që i lehtëson nga detyrimet e prapambetura.
Edhe pse zbatimi ende nuk ka nisur për shkak të mungesës së akteve nënligjore, në Bashkinë e Durrësit kanë mbërritur 55 kërkesat e para.
“Pritet një udhëzim për zbatimin e ligjit, por ne kemi marrë masa konkrete për ngritjen e një komisioni për shqyrtimin e kërkesave. Subjektet përfituese duhet të aplikojnë pranë Bashkisë së Durrësit. Nga të dhënat e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, rreth 5000 subjekte rezultojnë përfituese në vlera të ndryshme”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë Durrës Gentian Kallmi.
Paqja fiskale është mirëpritur nga biznesi dhe Dhoma e Tregtisë, si një mundësi për të mbyllur detyrimet e vjetra.
“Efektet e paqes fiskale janë pozitive për cilindo biznes. Në rastin konkret nenet e ligjit janë shumë favorizuese për biznesin. Nga 2014-2024 falen të gjitha gjobat dhe kjo është shumë pozitive. Ne do tu ofrojmë konsulencën tonë (bizneseve) për ta kryer me sukses procedurën për të përfituar”, u shpreh kryetari i DHTi-së Durrës.
Ligji parashikon fshirjen e plotë të borxheve deri në vitin 2014 dhe falje të pjesshme për periudhën 2015-2019, në varësi të pagesave.
“Falet 50% e detyrimit nëse paguhet brenda qershorit dhe 25% deri në fund të vitit. Në të gjitha rastet falen gjobat dhe kamatëvonesat”, shprehet Gentian Kallmi.
Për vitet 2020-2024 parashikohet falja e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht shlyerjen e detyrimit kryesor. Afati për përfitim është deri në fund të këtij viti, ndërsa nga skema përjashtohen subjektet në hetim apo të dënuara për shkelje tatimore.
Top Channel