Vidhte motomjete, i çmontonte dhe i shiste/ Në pranga 33-vjeçari në Tiranë, procedohet penalisht një tjetër

01/05/2026 09:39

Një 33-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë pasi vidhte motomjete, i çmontonte në pjesë dhe i shiste.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Remove”, zbardhen 6 raste të vjedhjes së motomjeteve, gjatë 2 muajve të fundit.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari që vidhte motomjete, i çmontonte në pjesë dhe i shiste ato.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën pjesë të motomjeteve të vjedhura.

Procedohet penalisht një 39-vjeçar, pasi dyshohet se ka përvetësuar nga i arrestuari, motomjet dhe pjesë motomjetesh, të vjedhura.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, si rezultat i hetimeve të kryera pas kallëzimeve për vjedhjen e disa motomjeteve, kanë finalizuar operacionin policor “Remove”, si rezultat i të cilit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

-E. Gj., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas vidhte motomjete me qëllim çmontimin në pjesë dhe shitjen e tyre, kryesisht në subjekte që shesin pjesë mjetesh. Ai dyshohet se ka vjedhur 6 motomjete, gjatë muajve mars dhe prill 2026.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Y. D., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka përvetësuar 1 motomjet dhe pjesë motomjetesh, të vjedhura nga i arrestuari.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga 33-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel