Irani ndien pasojat e luftës, monedha bie pikiatë nga bllokada amerikane dhe sanksionet
Kongresi i Brazilit ka rrëzuar veton e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva ndaj një projektligji që mund të ulë ndjeshëm dënimin me burg të ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Bolsonaro ishte dënuar vitin e kaluar me 27 vite burg për përpjekjen për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 ndaj Lulës. Megjithatë, ligji i ri i miratuar nga ligjvënësit, me shumicë konservatore, ndryshon mënyrën e llogaritjes së dënimeve për rastet që lidhen me tentativa grushti shteti, duke hapur mundësinë që dënimi i tij të reduktohet në pak më shumë se dy vite.
Vendimi u mor gjatë një seance të tensionuar, ku më shumë se dy të tretat e anëtarëve të Kongresit votuan pro tejkalimit të vetos presidenciale. Ligji pritet të përballet me sfida në Gjykata e Lartë e Brazilit.
Ndërkohë, Bolsonaro, 71 vjeç, ndodhet aktualisht në arrest shtëpie për arsye shëndetësore, një masë e përkohshme e miratuar në muajin mars.
Sipas vendimit të gjykatës, ish-presidenti kishte dijeni për plane që synonin eliminimin e presidentit Lula dhe zëvendëspresidentit Geraldo Alckmin, akuza që çuan në shpalljen e tij fajtor në shtator. Megjithatë, pa mbështetjen e drejtuesve të lartë të forcave të armatosura, komploti dështoi dhe Lula mori detyrën pa incidente më 1 janar 2023.
Pas votimit në Kongres, disa ligjvënës shpërthyen në thirrje për “liri”, ndërsa Flavio Bolsonaro, djali i madh i ish-presidentit, falënderoi publikisht deputetët dhe senatorët për vendimin, që përkoi me ditëlindjen e tij të 45-të.
Ky zhvillim shënon një tjetër goditje për qeverinë e majtë të Lulës, vetëm një ditë pasi Senati refuzoi kandidaturën e tij për Gjykatën e Lartë, Jorge Messias. Sipas analistëve, këto zhvillime tregojnë rritjen e ndikimit të kampit konservator dhe momentumin politik të familjes Bolsonaro, në një kohë kur Lula synon një mandat të katërt.
Top Channel