Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve paraprake, ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj tifozëve shqiptarë, që më datë 28 gusht sulmuan dhe dëmtuan tre autobusë, që transportonin tifozë të skuadrës polake Jagellonia.
Kjo e fundit në verë u ndesh me skuadrën e Dinamos në llogari të Ligës së Konferencës, teksa ndeshja e luajtur në Tiranë qe mbyllur me shifrat 1-1.
Para sfidës, tifozët polakë patën kryer gjeste fyese në bustin e Heroit Kombëtar, Skënderbeu, në sheshin qendror të kryeqytetit. Videot e tilla dhe fotot me shprehjet “Kosova është Serbi” u bënë virale dhe ngjallën reagimin e tifozëve të skuadrave të kryeqytetit.
Këta të fundit sulmuan autobusët me tifozë polakë në rrugën e Rinasit, teksa forcat “Shqiponja” patën arrestuar dhe dërguar për procedim penal Shendi Sata, Ardit Mancellari, Kevin Spahiu dhe të miturit E. H. dhe N.A.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka zbuluar raportin e prokurorisë, që pas hetimeve, nuk ka gjetur prova të mjaftueshme dhe ka pushuar hetimet dhe akuzat për 5 të proceduarit.
Nga dosja hetimore janë zbuluar edhe dëshmitë e protagonistëve, që janë treguar diskretë dhe shumë të kufizuar në deklarimet e tyre.
Pjesë nga dosja: Shtetasit e mitur N. A. dhe E. H., të cilët, në prezencë të familjarit të tyre, avokates mbrojtëse dhe psikologut, kanë deklaruar se: rreth orës 21:00 ka qenë duke ndenjur në lagjen ku banon tek stacioni i trenit në Tiranë me disa shokë të tij. Atje, bashkë me ca djem të lagjes që i njeh vetëm si djem të lagjes, por nuk i njeh me emra, janë nisur për të bërë një foto në autostradën Tiranë-Durrës, dhe aty është gjendur grupi i djemve të lagjes.
Më pas nuk e ka kuptuar sesi është gjendur në rrugën e Rinasit, përballë universitetit EPOKA. Atje janë gjendur tifozët e skuadrës polake, Jagiellonia, dhe sipas deklarimit të shtetasit Nazif Aga, është gjendur në një rrëmuje që nuk e kishte menduar. Shtetasi Nazif Aga ka sqaruar se aty ka parë rreth 20 e ca veta të cilët kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të autobuzave të tifozëve polakë. Ai shprehet se nuk ka goditur, as fyer ndonjë nga tifozët, por është gjendur aty dhe nuk ka pasur si të vepronte ndryshe, pasi kishte ardhur vetëm për të bërë foto dhe nuk kishte qëllime të tjera. Ai gjithashtu ka deklaruar se shumë nga djemtë që ishin aty kanë hedhur gurë dhe sende të forta drejt autobuzëve, por ai nuk ka arritur të njohë ndonjërin nga ata që vepronin, duke u kujdesur të mos e kapte ndonjë gur apo dru që po binin mbi autobuzat e tifozëve të skuadrës së klubit të futbollit Jagellonia.
Top Channel