‘Kisha frikë, kam qarë disa herë’/ Endrick tregon momentin me të vështirë te Reali i Madridit

30/04/2026 20:33

Rrugëtimi i Endrick në elitën e futbollit nuk është aspak i lehtë. Sulmuesi i Realit të Madridit, që aktualisht është dhënë me huazim te Lyon ka kaluar muaj të tërë me dyshime, pak aktivizim, ndërkohë që në 2025 pësoi një dëmtim që shënjoi karrierën e tij të shkurtër.

Në një intervistë për ‘The Guardian’, braziliani rrëfehet duke treguar gjithçka që ka prekur në jetën e tij duke nisur nga dëmtimi i pësuar në muajin maj të vitit të kaluar. Një dëmtim që e la jashtë fushave të lojës për disa javë dhe që i kompromentoi pjesëmarrjen në Botërorin e Klubeve. Por nuk ishte problemi fizik më i vështiri për futbollistin.

‘Kisha shumë frikë. Kam qarë disa herë dhe kjo është diçka që e bën në privatësi. Nuk e di nëse kjo do të të ndodhë sërish, nëse do të jesh në gjendje që të ruash nivelin tënd apo nëse do të kthehesh të luash përsëri-tregon Endrick

Impakti i këtij dëmtimi ishte total, me Endrick që e ndjeu se ishte shumë prapa në garën për një vend në skuadër.

‘Kur dëmtohesh, humbet gjithçka-vijoi Endrick-humbet mundësinë për të luftuar për një vend në ekip’

Dhe në fakt braziliani qëndroi më shumë se 3 muaj jashtë fushave dhe akumuloi më shumë se 120 ditë jashtë fushave të lojës pas një dëmtimi tjetër që pasoi. Në aspektin psikologjik, procesi i parakohshëm për të arritur në elitën e futbollit e ndryshoi.

‘Tani nuk i kushtoj vëmendje asaj që thonë njerëzit-tha Endrick-më parë, kur mbaronin ndeshjet iu drejtohesha rrjeteve sociale për të parë se çfarë thonin njerëzit për mua’

Ky evoluim e bëri atë të bëjë një reflektim më të gjerë për futbollin e elitës.

‘Futbolli nuk është një vend i këndshëm, është një ambient shumë i ashpër-tha Endrick duke dhënë një mesazh jo të zakontë për në futbollist 19 vjeçar, por që shpjegon mirë atë çfarë ai ka përjetuar në vitet e para të tij në Evropë. Në këtë proces, dhoma e zhveshjes së Realit të Madridit ka qenë kyçe me Endrick që veçon Jude Bellingham. ‘Ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Më bëri të ndihem i mirëpritur në klub-theksoi Endrick që foli në mënyrë të veçantë edhe për Luka Modric. ‘Ka qenë futbollisti që më bëri më shumë përshtypje. Çdo ditë ishte një leksion me të-tha Endrick

Tani që me aktivizimin dhe protagonizmin te skuadra e Lyon, Endrick sheh drejt së ardhmes me ambicie dhe objektvi i tij është i qartë. ‘Dëshira ime e parë është të luaj në Botëror. E kam të nevojshme të jem atje. Duhet të bëj mirë punën time këtu për të fituar një vend-tha Endrick në rrëfimin e tij

Top Channel