Bizneset në pritje të rregullave, vonesat në aktet nënligjore të paqes fiskale po vonojnë faljen e detyrimeve

30/04/2026 15:20

Vonesat në nxjerrjen e akteve nënligjore për 2 ligje të rëndësishme për bizneset, ai i paqes fiskale dhe fshirja e detyrimeve tatimore dhe doganore, mund të detyrojë qeverinë të ndërhyjë edhe njëherë në përcaktimin e rregullave të vendosura.

Ndërsa qershori po afron, në ligjin e dytë të kësaj marrëveshjeje me bizneset përcaktohej se një pjese të bizneseve u faleshin 50% e borxheve nëse i paguanin me një këst brenda këtij afati.

Në konferencën e përmuajshme, ministri i financave la të hapur mundësinë e rishikimit të afateve për t’u dhënë mundësi bizneseve të përfitojnë.

“Ato do të hyjnë në fuqi brenda këtij muaji, majit, dhe nëse do të ketë zgjatje të afateve do të vlerësohet në varësi sesi do të ecim me miratimin e udhëzimeve, por nëse do ketë shtyrje do të ketë ndërhyrje ligjore”, ministri i Financave, Petrit Malaj.

Jo vetëm paqja fiskale, në përfundim është dhe hartimi i akteve nënligjore për bastet sportive, teksa edhe 2 të tillë kanë mbetur për t’u realizuar.

Në performancën e 3 muajve të parë të vitit, në këtë konferencë Ministria e Financave bëri të ditur se rreth 205 miliardë lekë janë mbledhur nga administrimi i të ardhurave tatimore dhe doganore.

Ndërsa ekonomia performon mirë në taksa, parashikimin e ndërkombëtarëve për ngadalësimin e rritjes ekonomike për 2026, edhe për Shqipërinë ministri e komentoi duke thënë se një monitorim i ecurisë ekonomike po realizohet për impaktet në muajt në vijim.

Top Channel