Sfida Inter-Roma përfundon nën shënjestrën e Prokurorisë; kërkohen audio dhe video origjinale e penalltisë së mohuar ndaj Bisseck, detajet…

29/04/2026 12:34

Prokuroria e Milanos është gati të hedhë sytë te një ndeshje e Serie A të sezonit 2024/25. Bëhet fjalë për ndeshjen mes Interit dhe Romës,sfida kyçe e kampionatit që u fitua nga Napoli.

Momenti që ka ngjallur dyshime në atë përballje ishte ajo që ndodhi në faullin e mundshëm të Ndicka ndaj Bisseck, episod në të cilin sistemi VAR nuk ndërhyri pas një kontrolli të shpejtë. Sipas ‘La Repubblica’ ai që e këshilloi këtë ishte pikërisht Gervasoni duke trokitur në sallën VAR edhe pse asistenti Piccinini kishte sinjalizuar dyshimet e tij për atë çfarë ndodhi te Di Bello, edhe ky i fundit i ndodhur para monitorit, ndërkohë që në fushë ishte arbitri Fabbri.

Ndërhyrja e të mëdhenjve të AIA u sinjalizua nga Domenico Rocca, por edhe nga një tjetër ish arbitër në Prokurori. Që të dy konfirmuan atë çfarë po qarkullon në lidhje me sfidën me San Siro. E marrim me radhë: Piccinini shfaqi dyshimet e tij rreth kontaktit Ndicka-Bisseck, Gervasoni trokiti dhe më pas Di Bello e bëri asistentin e VAR të heshtë duke i thënë ‘Shih punët e tua’.  Diçka që nuk dëgjohet në audion e shfaqura në Open VAR. Një mister u vërtetë ky që tani edhe Prokuroria kërkon ta zgjidhë. 

Gjithnjë sipas ‘La Repubblica’, prokurorët e Milanos, i rezervojnë vetes mundësinë për të marrë në zotërim sa më shpejt të jetë e mundur të audios dhe videos origjinale të atyre minutave për të kuptuar atë çfarë ndodhi dhe për të përcaktuar përgjegjësitë  e të pranishmëve. Mbetet për t’u kuptuar gjithashtu nëse Gervasoni do të pyetet edhe për këtë episod gjatë seancës së marrjes në pyetje të tij.

Top Channel