Mbrëmja magjike në “Parc des Princes” do të mbetet gjatë në memorien e futbollit evropian, jo vetëm për shifrat e çmendura 5-4, por edhe për futbollin total të shfaqur nga të dyja kampet.

Në përfundim të sfidës, trajneri i parisienëve nuk i fshehu emocionet, duke e cilësuar këtë përballje si pikën më të lartë të karrierës së tij në stol. “Ishte ndeshja më e mirë që kam drejtuar ndonjëherë si trajner. Urime të gjithëve,” deklaroi tekniku i PSG-së, Luis Enrique, pas fitores epike 5–4 ndaj Bayern Munich në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në “Parc des Princes”.

“In karrierën time si trajner, nuk kam përjetuar kurrë një ndeshje me këtë lloj intensiteti dhe me këtë dëshirë të madhe për të fituar. Mendoj se të gjithë tifozët, pavarësisht se me cilin ekip bëjnë tifozllëk, u ndjenë të lumtur që panë këtë spektakël. Të dyja skuadrat dhe të gjithë lojtarët meritojnë përgëzime të përzemërta,” vazhdoi ai.

“Ishte një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe ndeshja e kthimit do të jetë e po të njëjtit nivel. Ka aspekte ku mund të përmirësohemi, por për momentin duhet të shijojmë këtë rezultat. Kjo është vetëm humbja e tretë që ata pësojnë gjatë gjithë sezonit, ndaj jemi shumë të lumtur. E merituam plotësisht fitoren.”

Top Channel