Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Arsenal dhe Atlético Madrid kanë siguruar vendin e tyre në gjysmëfinalet e UEFA Champions League.

Kush do ta fitojë trofeun në fund? Ne u konsultuam me superkompjuterin Opta për parashikimet më të fundit.Champions League ka dhuruar emocione të forta edhe këtë sezon, me ndeshje të jashtëzakonshme dhe dramë të vërtetë, duke na përgatitur për një finale interesante pas sfidave të para gjysmëfinale të kësaj jave.

Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain kanë pasur një ecuri mbresëlënëse. Gjigantët e Bundesligës eliminuan Atalantën në raundin e 1/8-ave, përpara se të triumfonin në një përballje titanike kundër Real Madridit në çerekfinale. Nga ana tjetër, PSG ka vijuar ecurinë e suksesshme të vitit të kaluar duke eliminuar me lehtësi relative dy klube të Premier League, Chelsea-n dhe Liverpool-in. Kjo sfidë premton të jetë një “klasike” midis dy prej ekipeve më emocionuese në planet.

Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Atlético Madrid dhe Arsenal. Këto dy ekipe ndoshta nuk njihen për futboll sulmues aq sa Bayerni dhe PSG-ja, megjithatë është tashmë e vjetëruar ta konsiderosh Atléticon si një ekip thjesht mbrojtës. Në fakt, vetëm Bayerni dhe PSG (me nga 38 gola secili) kanë shënuar më shumë në këtë edicion sesa djemtë e Diego Simeone-s (34 gola).

Një fakt interesant është se Arsenali dhe Atlético janë dy ekipet që kanë luajtur më shumë ndeshje në historinë e Kupës së Kampioneve/Champions League pa e fituar kurrë trofeun: përkatësisht 223 dhe 190 ndeshje. Me njërën prej tyre që e ka të sigurt finalen, të dyja mund të ëndërrojnë t’i japin fund kësaj pritjeje të gjatë.

Cilat janë shanset sipas shifrave?

Sipas simulimeve të superkompjuterit tonë në Opta, ja si paraqiten përqindjet:

Bayern Munich është favoriti kryesor për të fituar trofeun, por me një diferencë shumë të vogël. Ata fituan në 36.6% të simulimeve, duke lënë pas Arsenal-in me 35.7%. Forma e shkëlqyer e gjigantëve gjermanë, të cilët e kanë siguruar tashmë titullin në Bundesligë, i bën ata pretenditët kryesorë për suksesin e parë evropian që nga viti 2020.

Arsenali është skuadra me gjasat më të larta për të prekur finalen, me 71.7%. Kjo vjen pjesërisht sepse ata përballen me Atléticon, e cila sipas Opta Power Rankings është skuadra me renditjen më të ulët nga të katërta, ndonëse mbetet një kundërshtar i vështirë.

Bayern Munich ka një mision më të ndërlikuar përballë kampionëve në fuqi të PSG-së. Megjithatë, djemtë e Vincent Kompany-t kalojnë në finalen e Budapestit në 61.7% të rasteve. PSG po tregon sërish forcë, por përballja e vështirë me Bayernin bën që ata ta mbrojnë titullin në vetëm 19% të simulimeve.

Atlético Madrid e fiton trofeun në vetëm 8.8% të rasteve. Por, duke pasur parasysh se ata nuk kishin shumë shpresë as kundër Barcelonës në çerekfinale, çdo gjë mbetet e hapur. Na presin dy javë emocionuese, në fund të të cilave do të mësojmë çiftin finalist. Atëherë do të rikthehemi me përqindje të reja nga superkompjuteri ynë!

Top Channel