Fruta-perime nga jashtë/ Çmimet më të ulëta dëmtojnë fermerët shqiptarë, produkti vendas humb terren

29/04/2026 15:13

Produkti vendas nuk është konkurrues në treg, as prej çmimit dhe as prej sasisë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se përgjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, ushqimet e importuara u rritën në sasi me 19%. Saktësisht në këtë periudhë në Shqipëri u futën 3.300 tonë më tepër zarzavate, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në një total mbi 25 mijë ton perimesh të huaja. I njëjti trend shihet edhe te frutat, ku sasia e importuar u zgjerua me afro 3.900 tonë, duke kapur shifrën totale prej 29.700 tonësh.

Konsumatori po mban larg tryezës produktin e fermerëve tanë, jo prej shijes, por prej vlerës. Produktet bujqësore të importit po shiten më lirë se ato të vendit, kjo sepse fermeri i huaj përfiton më tepër mbështetje financiare.

“Një ekonomi e zhvilluar është një ekonomi që ka rritje të eksporteve. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare duhet të zhvillojë bujqësinë, pasi bujqësia të krijon ekonomi të qëndrueshme, pra ekonomi prodhimi. Me rritjen e bujqësisë ne ndihmojmë ekonominë e turizmit dhe të vendit”, tha ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Sektori agrar nuk preferohet nga të rinjtë; ritmi i të moshuarve që punojnë tokën nuk i përgjigjet dot në kohë kërkesave të tregut.

“Me subvencionimin e bujqësisë do të kemi të mundur që fermerët të rrisin prodhimin vendas, por edhe punësimin dhe pagat. Shqiptarët jo vetëm që do të konsumojnë produkte MADE IN ALBANIA, por nga ana tjetër do të rriten edhe eksportet duke ulur importet”, tha ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Që ky bilanc të ndryshojë, Ministria e Bujqësisë duhet të zhvillojë një strategji nga ekspertët e fushës, e jo nga juristët.

“Pikërisht duke mbledhur grupet e interesit, sepse grupet e interesit e dinë se ku janë problematikat, patjetër që duhet të bashkëpunohet me universitetet dhe ekspertët e fushës për të krijuar zgjidhje dhe alternativa që ajo sfidë të kthehet në mundësi për zhvillimin e bujqësisë”, tha ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Saktësisht, shqiptarët në vend të patates së Kukësit po blejnë atë egjiptiane, në vend të karotës së Divjakës marrin atë të Serbisë, ndërsa domatja e Beratit është zëvendësuar me domaten e Turqisë. Kurse vendin e mollëve të Korçës e kanë zënë ato italiane. Ndryshimi i origjinës së produkteve bujqësore ka ndikuar që ky sektor të arkëtojë më pak para në arkën e shtetit.

Top Channel