Në raportin e fundit, Banka Botërore vlerëson se ekonomia e Shqipërisë u rrit, e mbështetur nga sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, veçanërisht turizmi.
Sipas raportit inflacioni mbeti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Borxhi publik vijoi rënien, duke zbritur në 53.2 për qind të PBB-së në fund të vitit 2025.
“Bilanci i llogarisë korrente u përmirësua, i mbështetur nga eksportet e shërbimeve të nxitura nga turizmi, pavarësisht dobësimit të eksporteve të mallrave për shkak të forcimit të monedhës vendase dhe rritjes së kostove të punës.
Shqipëria po krijon lidhje të reja tregtare për eksportin e mallrave në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit.
Megjithëse këto zgjasin më shumë se në vendet e tjera të Ballkanit, shumica mbeten afatshkurtra, vetëm 36 për qind mbijetojnë vitin e parë dhe vetëm 4 për qind zgjasin mbi pesë vjet.
Papunësia pësoi rënie, por kjo kryesisht pasqyron tkurrjen e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë, sesa një rritje të fortë të punësimit. Shqipëria mbetet një ndër vendet e rajonit me emigrimin më të lartë për frymë dhe ata që qëndrojnë përballen me pengesa të vazhdueshme në tregun e punës.
Kujdesi dhe përgjegjësitë familjare mbajnë gratë jashtë këtij tregu, veçanërisht grupmosha 25-54 vjeç, ndërsa papunësia tek të rinjtë është në nivelin 21.5 për qind, mbi mesataren e BE-së që është 14.7 për qind”, thuhet më tej në raport.
Top Channel