Skandal/ Hakerat sulmojnë “Botën e futbollit” publikohen 150 mijë dokumenta personale, mes personazheve edhe presidenti i FIFA-s

28/04/2026 17:56

Një sulm kibernetik me përmasa të paprecedenta ka tronditur botën e futbollit, duke vënë në rrezik të dhëna tepër të ndjeshme të lojtarëve, trajnerëve dhe drejtuesve më të njohur në nivel global.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, përfshirë hetimet e platformave të specializuara në sigurinë digjitale, janë publikuar në rrjet mbi 150 mijë dokumente personale, përfshirë pasaporta dhe dosje konfidenciale.

Në listën e personave të prekur përmenden emra të njohur si Son Heung-min, Lee Kang-in, Mehdi Taremi dhe Neymar Jr, si dhe presidenti i FIFA, Gianni Infantino.

Hetimet e para flasin për një nga shkeljet më serioze të sigurisë kibernetike të regjistruara ndonjëherë në sport. Të dhënat e publikuara në forume të krimit kibernetik përfshijnë informacione shumë të detajuara, si identitete të plota, adresa email-i, kontrata profesionale dhe madje edhe të dhëna bankare. Kjo ngre shqetësime të mëdha për mundësinë e përdorimit të tyre për mashtrime, vjedhje identiteti dhe manipulime financiare.

Sipas raportimeve, materialet e hakuara janë të strukturuara në mënyrë të organizuar, të ndara sipas shteteve dhe të shoqëruara me dosje individuale. Kjo ka shtuar dyshimet se nuk bëhet fjalë për një rrjedhje aksidentale, por për një depërtim të drejtpërdrejtë në sistemet e brendshme të disa organizatave sportive dhe klubeve.

Grupi i njohur si “ShinyHunters” ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke e cilësuar atë si “shkeljen më të madhe në historinë e futbollit”. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se pasojat mund të jenë të gjera, duke prekur jo vetëm individët e përfshirë, por edhe strukturën e sigurisë së futbollit ndërkombëtar në tërësi.

Top Channel