“Wanda Metropolitano” përgatitet për një natë magjike evropiane, ku Atletico e Madridit kërkon të bëjë hapin e madh drejt finales që i mungon prej kohësh.

Në prag të sfidës ndaj Arsenalit, Diego Simeone është shfaqur i qetë por mjaft i vendosur, duke festuar ditëlindjen e tij me fokusin e plotë te kjo gjysmëfinale historike. Për teknikun argjentinas, ky moment përfaqëson kulmin e një rrugëtimi që kaloi përmes përmbysjes së madhe ndaj Barcelonës. “Nuk ka presion, ka përgjegjësi dhe një emocion të veçantë.” Diego Simeone po bëhet gati të përjetojë një tjetër gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve: Atletico Madridi i tij, pasi eliminoi Barcelonën, do të përballet nesër (29 prill) me Arsenalin në “Wanda Metropolitano”.

Në ditëlindjen e tij të 56-të, trajneri argjentinas u pyet nëse trofeu evropian ishte dhurata më e lakmuar: “Nuk kam dëshira materiale. Jam me fat që kam djemtë e mi, vajzat, gruan dhe nënën time. Kam vetëm arsye për të qenë mirënjohës,” theksoi ai.

“Është e jashtëzakonshme të luash në një tjetër gjysmëfinale. Është diçka e mrekullueshme, e pabesueshme. Ai besim, ai entuziazëm dhe ajo energji ngjitëse nga tifozët tanë janë diçka fantastike. Do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë, veçanërisht në goditjet standarde, dhe do të futemi në fushë me të gjitha shpresat tona. Të ëndërrosh është bukur, por realiteti është ai që ndodh në fushë. Ndjejmë emocionin e të qenit pranë një objektivi madhor, të cilin ky klub nuk e ka arritur kurrë më parë. Ne duam të luajmë ndeshjen që kemi planifikuar dhe ta dërgojmë lojën aty ku mund t’i dëmtojmë ata. Na duhet edhe fati me vete, por mbi të gjitha duhet të luajmë me intensitet, besnikë ndaj stilit tonë të lojës.”

Top Channel