Muriqi nuk është më thjesht një lojtar i La Ligës, por kandidat mes më të mirëve të kampionatit spanjoll

28/04/2026 22:32

LaLiga ka shpallur listën e kandidatëve për “Skuadrën e Sezonit”, në bashkëpunim me EA Sports, dhe mes emrave më të spikatur në repartin ofensiv është edhe Vedat Muriqi.

Sulmuesi i Kosovës po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, duke realizuar 21 gola dhe duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, vetëm pas Kylian Mbappé. Paraqitjet e tij të forta e kanë kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të kampionatit spanjoll.

Në listën e kandidatëve për sulmin bëjnë pjesë edhe emra të njohur si Julián Álvarez, Vinícius Júnior, Lamine Yamal dhe Raphinha, duke e bërë konkurrencën shumë të fortë.

Përzgjedhja e formacionit përfundimtar do të bëhet përmes votave të tifozëve, të cilët fillimisht zgjedhin skemën taktike dhe më pas përzgjedhin lojtarët në çdo repart për të ndërtuar ekipin ideal me 11 futbollistë.

Muriqi mbetet një nga kandidatët më seriozë në sulm dhe tifozët kanë mundësinë ta mbështesin me votën e tyre për ta parë pjesë të “Formacionit të Vitit”, një vlerësim që do të kurorëzonte sezonin e tij të shkëlqyer.

Top Channel