Katër dekada pas katastrofës, natyra ka marrë plotësisht nën kontroll ish-kompleksin sportiv.

Dje u mbushën plot dyzet vite nga tragjedia në centralin bërthamor të Çernobilit, aksidenti më i rëndë bërthamor në historinë e njerëzimit. Ndërsa bota nderon viktimat dhe analizon pasojat afatgjata të shpërthimit në reaktorin e katërt, stadiumi “Avanhard” në Pripyatin e braktisur mbetet një nga simbolet më rrëqethëse të kohës së ngrirë.

Nga krenaria në harresë: I ndërtuar në vitin 1979 si shtëpia e ardhshme e klubit vendas FK Stroitel, ky stadium nuk i jetoi kurrë momentet e lavdisë për të cilat u projektua. Në vend të zhurmës së tribunave dhe euforisë së futbollit, sot ai është i mbështjellë nga një heshtje shurdhuese.

Natyra ka rimarrë territorin e saj, fusha dhe tribunat janë “përpirë” nga bimësia e dendur, ndërsa pemët që rriten përmes betonit e kanë shndërruar ish-kompleksin në një skenë joreale post-apokaliptike, e cila prej vitesh tërheq fotografë nga mbarë bota.

Çfarë ndodhi saktësisht? Si kujtesë, në orët e para të mëngjesit të 26 prillit 1986, saktësisht në orën 01:23, shpërtheu reaktori numër katër. Rreth 190 tonë material radioaktiv u lëshuan në atmosferë, ndërsa çatia me peshë mbi një mijë tonë u shkatërrua nga forca e shpërthimit. Rrezatimi preku territore të gjera të Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë së sotme.

Qyteti i Pripyatit, i ndodhur vetëm një kilometër e gjysmë larg termocentralit, numëronte rreth 50,000 banorë në kohën e aksidentit. Evakuimi nisi vetëm 36 orë më vonë, më 27 prill, kur rreth 45,000 njerëz lanë shtëpitë e tyre, shumë prej tyre me besimin se do të ktheheshin pas pak ditësh. Megjithatë, kjo nuk ndodhi kurrë. Deri në fillim të majit u krijua një zonë përjashtimi me diametër prej 30 kilometrash, duke zhvendosur përgjithmonë më shumë se 130,000 njerëz nga dhjetëra vendbanime.

Shifra të tmerrshme: Numri i saktë i viktimave mbetet ende temë debati. Menjëherë pas aksidentit u konfirmuan 56 vdekje, por vlerësime të tjera flasin për deri në 1.5 milion njerëz në mbarë botën që mund të kenë humbur jetën si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit ndër vite. Sipas një raporti të vitit 2005, llogaritet se mund të ketë deri në 9,000 vdekje nga kanceri vetëm në mesin e popullatës më të ekspozuar.

Katër dekada më vonë, zona rreth Çernobilit mbetet kryesisht e pabanueshme. Zona e përjashtimit, që shtrihet në qindra kilometra katrorë, shërben si një kujtesë e përhershme e përmasave të kësaj tragjedie botërore.

Top Channel