Gara për Champions League në Serie A, kush mbetet në lojë? Kalendari i Milanit, Juventusit, Romës dhe Comos

27/04/2026 02:23

Raundi i fundit i kampionatit (i cili ende nuk ka përfunduar plotësisht) pothuajse ka vulosur fatin e Napolit dhe i ka vendosur Kuqezinjtë në një pozicion shumë komod.

Skuadra e Spallettit ka një kalendar të shkëlqyer, por vëmendja mbetet te dyshja Fabregas dhe Gasperini…

Nga lista e ekipeve që ende luftojnë për një vend në Champions, disa pretendentë kryesorë tashmë mund të konsiderohen jashtë gare. Së pari, sepse pozicioni i Napolit është i blinduar dhe fitorja e së premtes kundër Cremonese-s konfirmoi se mungon vetëm zyrtarizimi matematik. Së dyti, sepse Atalanta, pavarësisht se ka një ndeshje më pak,atë kundër Cagliari-t, gjendet në rastin më të mirë shtatë pikë larg vendit të katërt, çka e bën kualifikimin pothuajse të pamundur. Prandaj, në këtë pikë, dy vendet e mbetura që garantojnë Champions-in do të ndahen mes Milanit, Juventusit, Comos dhe Romës.

Situata e Kuqezinjve (Milanit)

Barazimi 0-0 i Kuqezinjve kundër Juventusit ka konsoliduar vendin e tyre të tretë në tabelë me 67 pikë. Ata kanë tashmë një avantazh prej tre pikësh ndaj Bardhezinjve të vendit të katërt dhe gjashtë pikë më shumë se Como dhe Roma. Kalendari i mbetur përfshin ndeshje kundër Sassuolo-s, Atalantës, Genoa-s dhe Cagliari-t. Prandaj, pozicioni i Kuqezinjve duket mjaft i sigurt, jo vetëm sepse kundërshtarët e radhës janë të kalueshëm (me mundësinë për të nxjerrë përfundimisht “Zonjën”, Atalantën, nga gara), por edhe falë distancës që skuadra e Allegrit ka krijuar gjatë sezonit. Në rast të një barazimi me pikë në fund me Juventusin, ndeshjet direkte janë në baraspeshë të plotë (0-0 si në fazën e parë, ashtu edhe në të dytën), por golavarazhi i Kuqezinjve është aktualisht më i ulët se ai i Bardhezinjve.

Situata e Bardhezinjve (Juventusit)

Barazimi pa gola në “San Siro” nuk i shërbeu vetëm Milanit (i cili është një hap larg kualifikimit), por edhe Juventusit. Këta të fundit kanë ruajtur distancën me Comon dhe Romën (të dyja fituese), duke shmangur një parakalim të papritur që do të ndërlikonte rrugëtimin e Spallettit. Juventusi aktualisht renditet në vendin e katërt, tre pikë përpara Comos dhe Romës. Sa i përket kalendarit, Bardhezinjtë kanë një mundësi të artë, do të përballen me Veronën, Lecce-n, Fiorentinën dhe Torinon. Janë të gjitha skuadra që kanë pak për të kërkuar në këtë fund sezoni, me përjashtim të derbit. Bilanci i ndeshjeve direkte favorizon Romën, por është i pafavorshëm kundër Comos. Megjithatë, duket se pjesa më e madhe e punës është bërë, përveçse nëse ndodh ndonjë dështim i papritur.

Surpriza Como

Como mban vendin e pestë me 61 pikë, në zonën e Europa League, por Champions-i mbetet i arritshëm pasi janë vetëm tre pikë pas Juves. Humbjet e fundit ndaj Interit dhe Sassuolo-s kanë komprometuar shanset e tyre, sidomos sepse ndeshja e radhës është Como-Napoli. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pavarësisht gjendjes psikologjike të ekipit të Contes. Megjithatë, tre ndeshjet e fundit (Verona, Parma, Cremonese) janë të gjitha të fitueshme në teori. Ata duhet të fitojnë dhe të shpresojnë që Juventusi të gabojë, duke pasur gjithmonë sytë nga pas…

Roma në garë

Roma ka pikë të barabarta me Comon (61), por renditet pas skuadrës së Fabregas-it. Ndonëse bilanci i pikëve në ndeshjet direkte është i barabartë (Gasperini fitoi 1-0 në “Olimpico”, ndërsa Como fitoi 2-1 në “Sinigaglia”), diferenca e golave anon ndjeshëm në favor të Comos (31 me 19). Katër ndeshjet e fundit të Romës janë kundër Fiorentinës, Parmës, Lazios dhe Veronës. Situata është e ngjashme me atë të Juves, përveç derbit, do të përballen me ekipe që nuk kanë më objektiva ose që tashmë e kanë vulosur fatin e tyre (si Hellas Verona që ka rënë nga kategoria). Qëllimi i Verdhekuqve është i njëjtë me atë të Comos, të fitojnë gjithçka dhe të presin hapat e gabuar të rivalëve, gjë që nuk do të jetë aspak e thjeshtë.

Top Channel