Stadiumi i Çernobilit, nga qendër sportive në një skenë post-apokaliptike 4 dekada pas “aksidentit bërthamor”
Shumë arbitra merren në pyetje nga prokurorët, flitet për 30, por mund të jenë akoma më shumë. Hetimi i prokurorit të Milanos, Maurizio Ascione shkoi edhe më thellë teksa ka kërkuar të kuptojë nëse në sistemin e Rocchit ka diçka që nuk ka shkuar në drejtimin e duhur.
Një hetim që nis nga denoncimi i avokatit veronez, Michele Croce që duke ndjekur ndeshjen Inter-Verona të 6 janarit 2024 nuk e kapërdiu faktin që nuk ndërhyri VAR në episodin e bërrylit të Bastonit ndaj Dudas në golin vendimtar të Frattesit në minutën e 93. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1 për Interin që me atë rast u shpall kampion i dimrit, ndërkohë Verona me Henry humbi penalltinë që do të barazonte rezultatitn pak para mbylljes së ndeshjes. Një penallti shumë, shumë e dyshimtë. Avokati Croce megjithatë nuk pranon asgjë dhe kështu shkaktoi ‘big bang’ e hetimit që tronditi botën arbitrare
Prokuroro Ascione e mori dosjen dhe u vu në lëvizje. Të parët që u thirrën ishin arbitrat VAR dhe AVAR Nasca dhe Di Vuolo. Sipas asaj që publikohet në median italiane, emrat e tyre iu bashkuan atyre të Rocchit dhe Gervasoni, që tashmë janë në regjistrin e të hetuarve. Është e vërtetë që duhet një kohë teknike për komunikimin, 1 vit për krime më të lehta mes marrjes në pyetje dhe regjistrimit, por është një afat që mund të shtyhet me 6 muaj
Hetimi i Ascione nuk ndalet vetëm te Inter-Verona. Prokurori ka vendosur të zgjerojë marrjet në pyetje. Flitet për të paktën 30 arbitra që janë dëgjuar për 5-6 orë. Janë thirrur edhe ata që nuk janë më në aktivitet si Eugenio Abbatista që kishte dhënë dorëheqjen në 2024.
Të gjithë u vunë përballë vendimeve të tyre: ‘Pse dhe këtë penallti, pse e hoqe, çfarë do të thotë ky sinjal, pse pate këtë reagim’. Një moviolë e movioles që duket i ekzagjeruar për rolin e një prokurori. Ndërkaq hyn në skenë denoncimi i ish asistentit Rocca që i hedh benzinë zjarrit. Që këtu shfaqet ‘trokitja’ e Rocchit gjatë ndeshjes Udinese-Parma. Prania e dizenjatorit nuk ishte e zakonshme, flitet për një herë në muaj në Lissone. Këtë vit pas pranisë së vazhdueshme të prokurorisë federale në qendrën VAR, nuk është parë më.
Duke u kthyer te marrja në pyetje, nga këto seanca thuajse lindin akuzat në drejtim të Rocchit dhe Gervasonit. Më shumë sesa nga përgjimet telefonike apo ambientale, që nuk mund të përjashtohen, dosja e pasur e Ascione duket se është hartuar nga këto ballafaqime me anëtarët e AIA. Dhe këtu hapet kapitulli më interesant. Që bota arbitrare në Itali është përçare, që helmet janë në rend të ditës, kjo dihet. ‘Është kryesisht çështje parash’-është shprehur ish arbitri Graziano Cesari. Transparenca e tepruar, Open VAR, kanë krijuar pakënaqësi. Nuk mund të përjashtohet fakti se ndonjë arbitër ka përfituar nga rasti në këto ballafaqime me Ascionen për të ‘zbrazur thesin’ dhe për të thënë diçka më shumë.
Shumë janë të bindur që kuadri do të jetë më i qartë pas marrjes në pyetje të Gianluca Rocchit që do të jetë të enjten, por nuk përjashtohet mundësia që ish dizenjatori të zgjedhë të ushtrojë të drejtën për të mos folur nga frika e një sjelljeje armiqësore të prokurorit me sigurinë e kalimit të tij në gjykim. Në atë rast ai do të kërkonte dokumentacionin për të shkuar në proces, i bindur se do të dalë i pastër
Ndërkaq, futbolli italian duhet të vazhdojë dhe të mbyllë këtë sezon të turbulluar. Ndërkaq, mësohet se cili do të marrë vendin e Gianluca Rocchit si dizenjator i arbitrave, bëhet fjalë për Dino Tommasi që do të qëndrojë në këtë detyrë deri në fund të sezonit.
Top Channel