Fenerbahçe në kaos, shkarkohet Domenico Tedesco, mbyllet edhe epoka pas Mourinhos si e dështuar

27/04/2026 22:38

Disfata e rëndë 0–3 në derbin e djeshëm kundër Galatasarayt ka prodhuar një tërmet të vërtetë te Fenerbahçe.

Klubi ka njoftuar zyrtarisht se Domenico Tedesco nuk është më trajner i skuadrës, duke i dhënë fund aventurës së tij në Stamboll në mënyrën më të keqe të mundshme.

Tedesco, i cili erdhi në krye të ekipit për të zëvendësuar José Mourinhon, nuk arriti kurrë të gjente formulën e duhur për të mbajtur ritmin e kryesuesve. Humbja në derbi ishte “guri i varrit” për ambiciet e tij, duke e lënë ekipin 7 pikë pas rivalëve kur duhen edhe vetëm tri javë nga fundi i kampionatit. Për tifozët verdheblu, ky është një zhgënjim i hidhur, pasi as afrimet e bujshme si N’Golo Kanté e Matteo Guendouzi nuk shërbyen për të thyer mallkimin e titullit që mungon prej vitit 2014.

Në këto tri ndeshje të mbetura, Fenerbahçe do të tentojë të mbajë vendin e dytë nën drejtimin e ish-ndihmëstrajnerit Zeki Murat Göle, ndërsa sezoni mbyllet me një tjetër dështim të madh në menaxhimin e stolit.

Top Channel