Nga ‘Calciopoli’ te ‘Çështja Rocchi’; arbitrat, sërish në baltë dhe futbolli italian po shkon drejt kaosit

26/04/2026 13:46

As triumfi në qiellin e Berlinit me Kupën e Botës të ngritur nga Fabio Cannavaro nuk e pllakosi skandalin më të madh të futbollit në Itali. Ishte viti 2006 dhe ‘Calciopoli’ erdhi si një tsunami që ra mbi klubet e mëdha të kampionatit italian, sidomos mbi Juventusin dhe mbi botën arbitrare. Duke filtruar helmet dhe ripërpiluar klasifikimet.

Në qendër të skandalit ishte Drejtori i Përgjithshëm bardhezi, Luciano Moggi që u akuzua se krijoi një sistem pushteti për të manipuluar arbitrat në favor të Juventusit dhe të klubeve të tjera në bashkëpunim me dizenjatorët e arbitrave të asaj kohe, Bergamo dhe Pairetto, me furnizimin me karta telefonike të huaja për te dribluar përgjimet telefonike.

Një tërmet sportiv që solli pezullimin e përjetshëm të Moggit dhe Shefit Ezkekutiv të Juventusit, Antonio Giraudo nga bota e futbollit, rënien e Zonjës së Vjetër në Serie B, penalizimin e Lazios, Milanit, Regginës dhe Fiorentinës dhe eliminimin total të një klase drejtuese futbollistike.

Dhe tani, ashtu si atëhere, arbitrat baltosen sërish, pavarësisht se ajo faqe e errët premtonte një rigjenerim të thellë. Edhe pse tani po përdoret dhe teknologjia që supozohej të largonte të gjitha dyshimet, sot për sot edhe ajo po rrezikon të jetë e manipulueshme.

Dhe këtyre historive iu shtohet dhe aspekti sportiv me përfaqësuesen italiane që dështoi për të tretën herë radhazi për t’u kualifikuar në Botëror që e çojnë futbollin italian drejt kaosit dhe në verë do të jenë zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës Italiane të Futbollit.

Top Channel