Aspirina, armë kundër kancerit, studimet tregojnë se ul rrezikun dhe përhapjen e tumoreve nëse përdoret

25/04/2026 15:00

Një nga ilaçet më të vjetra dhe më të përdorura në botë, aspirina, mund të luajë një rol kyç në parandalimin e kancerit.

Studime të reja po tregojnë se ky medikament, i njohur kryesisht për qetësimin e dhimbjeve, mund të reduktojë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit dhe përhapjes së tumoreve.

Rasti i një britaniku me rrezik të lartë gjenetik për kancer të zorrës së trashë është një nga shembujt më domethënës. Ai ka marrë aspirinë çdo ditë për më shumë se një dekadë dhe deri tani nuk ka zhvilluar sëmundjen. Sipas studiuesve, te personat me sindromën Lynch, një çrregullim gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun për kancer, përdorimi i përditshëm i aspirinës për të paktën dy vite mund të ulë deri në 50% mundësinë për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë.

Rezultatet kanë filluar të ndikojnë edhe politikat shëndetësore. Në disa vende, si Britania e Madhe dhe Suedia, udhëzimet mjekësore janë përditësuar, duke rekomanduar përdorimin e dozave të ulëta të aspirinës për pacientët me rrezik të lartë.

Por përfitimet nuk ndalen vetëm te parandalimi. Studime të tjera tregojnë se aspirina mund të ulë edhe rrezikun e rikthimit të kancerit pas trajtimit, duke reduktuar përhapjen e qelizave kancerogjene në organizëm.

Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë edhe mekanizmin. Dyshohet se aspirina ndikon në disa procese biologjike, duke penguar rritjen e pakontrolluar të qelizave dhe duke ndihmuar sistemin imunitar të identifikojë më lehtë qelizat tumorale.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i aspirinës nuk është pa rrezik. Efektet anësore përfshijnë gjakderdhje të brendshme, probleme me stomakun dhe, në raste të rralla, komplikacione serioze. Për këtë arsye, mjekët theksojnë se aspirina nuk duhet të merret pa këshillën e specialistit, sidomos nga persona të shëndetshëm.

Studimet vijojnë, por një gjë është e qartë: një ilaç me histori mijëra vjeçare mund të ketë ende sekrete të rëndësishme për shëndetin e njeriut.

Top Channel