Gara për titullin në Premier League ka hyrë në një fazë dramatike, ku çdo detaj mund të rezultojë vendimtar.

Manchester City dhe Arsenali janë në një duel të ashpër, me pikë të barabarta dhe diferenca minimale që mbajnë gjallë një nga sezonet më emocionuese të viteve të fundit. Pas fitores 2-1 në përballjen direkte ndaj Arsenalit dhe suksesit minimal në transfertë ndaj Burnleyt, Manchester City është rikthyer në krye të renditjes.

Tri pikë vendimtare që mbajnë firmën e Erling Haaland, i cili vazhdon të jetë faktor kyç në momentet më të rëndësishme të sezonit. Aktualisht, të dy skuadrat kanë nga 70 pikë dhe një diferencë golash të barabartë. Megjithatë, Manchester City kryeson falë numrit më të madh të golave të shënuar, një kriter që në këtë fazë mund të bëjë diferencën. “Qytetarët” kanë realizuar 66 gola, ndërsa Arsenali ndalet në 63. Rregullorja e Premier League është e qartë: fillimisht numërohen pikët, më pas diferenca mes golave të pësuar dhe atyre të shënuar dhe më pas golat e shënuar.

Nëse barazia vazhdon, vendimtare bëhen përballjet direkte, ku gjithashtu Manchester City ka avantazh ndaj Arsenalit. Në aspektin e kalendarit, të dy ekipet përballen me sfida të ndryshme. Manchester City ka një program më të ngarkuar, me përballje ndaj skuadrave që synojnë zonën europiane, ndërsa Arsenali në letër duket se ka kundërshtarë më të përballueshëm. Megjithatë, londinezët janë ende në garë në Ligën e Kampionëve, çka mund të ndikojë në menaxhimin e forcave.

Krahasimet me sezonin historik 2011-2012 janë të pashmangshme. Atëherë, Manchester City fitoi titullin në mënyrë dramatike, falë golavarazhit në javën e fundit, pas një përmbysjeje të paharrueshme ndaj QPR-së. Sot, 14 vite më pas, skenari mund të përsëritet. Me gjithçka të barabartë mes dy pretendentëve, titulli mund të vendoset sërish nga një detaj i vetëm — ndoshta edhe nga një gol që në fund mund të hyjë në histori.

Top Channel