E ardhmja e Milanit, për të cilën trajneri Massimiliano Allegri ka folur me Igli Taren dhe Giorgio Furlanin është me të vërtetë një rebus sepse, ndryshe nga sa ndodhi vitin e kaluar, këtë radhë janë shumë futbollistë që nuk e kanë të sigurt vendin e tyre në skuadër.

Rafael Leao, për shembull, është një prej këtyre lojtarëve, për të cilin do të studiohen ofertat e mundshme. Por është edhe Cristian Pulisic, që pas bisedimeve të para për rinovimin,  ka parë që procesi të ngadalësohet e deri sa u ndal krejt. Tani askush nuk e ka me. ngut që kjo të ndodhë edhe pse kontrata i skadon në qershor të 2027 dhe nuk është më as siguria se do të kërkohet një marrëveshje; as nga Milani që po bën vlerësimet e tij pas 17 ndeshjeve pa gol të Pulisic dhe as nga përfaqësuesit e vetë futbollistit. Çështja është lënë pezull dhe në këtë ftohtësi të papritur mes palëve ngrihen disa pikëpyetje. Ndërkaq gjithçka do të varet shume nga përforcimet që do të vijnë në skuadër, kështu që nuk është aspak e sigurt se Milani do të vazhdojë me këtë modul loje edhe pse në fund të fundit edhe në skemën aktuale, Leao dhe Pulisic nuk kanë qenë në pozicionin e tyre. Dhe arsyetimi është logjik; nëse duan një qendërsulmues dhe një sulmues të dytë; as portugezi dhe as amerikani nuk janë elementët e përshtatshëm. Allegri tentoi për një sezon të tërë dhe aktualisht llogaritë nuk dalin

Sigurisht që trajneri livornez do të bënte gjithçka për të pasur në majën e sulmit Robert Lewandowskin, por edhe Dusan Vlahovic vazhdon të mbahet në konsideratë. Ndërkaq po kërkohet edhe një mesfushor me eksperiencë si Leon Goretzka me të cilin bisedimet kanë qenë konstante. Po kështu synohet edhe një qendërmbrojtës për ta bashkuar me Gabbian e Pavlovic që mund të sjellë soliditet dhe cilësi në repartin e prapavijës. Do të tentohet të bëhet diçka në krahë, por edhe në këto zona nuk po synohen futbollistë si Leao dhe Pulisic. Pjesa tjetër do të varet nga lojtarët që do të largohen. Milani ka një thesar thuajse të siguruar nga blerjet e lojtarëve me huazim, por mund të rrisë buxhetin falë ndonjë shitjeje. Nkunku është një lojtar që mund të sjellë të ardhura, por nuk është e thënë që këto të ardhura të mos vijnë as nga lojtarë si Estupinan apo Jashari.

Top Channel