Alejandro Garnacho kthehet të jetë në vorbullën e polemikave, këtë radhë shkaku është një konflikt me shokët e tij të skuadrës gjatë pushimit të ndeshjes me Manchester United.

Sipas tabloidit ‘The Sun’ disa prej lojtarëve të Bluve të Londrës iu hakërryen argjentinasit duke e akuzuar se nuk po luante me intensitetin e nevojshëm për të evituar golin e parë të rivalëve.

Është kjo vetëm polemika e fundit e futbollistit që duket se ka rënë në një spirale konfliktesh që nga momenti që është transferuar në Londër. Të shtunën e kaluar në 18 prill, Chelsea dhe Manchester United u përballën mes tyre në Stamford Bridge në një ndeshje kyç  të Premier League. Në atë ndeshje Estevao u preferua që të luante në krahë nga Rosenior, por në minutën e 16 ai u dëmtua dhe vendin e tij e mori Garnacho.

Argjentinasi hyri në fushë me një mungesë intensiteti të dukshëm dhe si pasojë e kësaj ishte goli i shënuar nga Matheus Cunha në minutën e 43. Në duelin për top me Bruno Fernandes, Garnacho la shumë për të dëshiruar me portugezin që e vijoi me lehtësi manovrën e tij duke dhënë asist për golin e avantazhit të Djajve të Kuq.

Në pjesën e dytë, Rosenior ia ndryshoi pozicionin Garnachos duke e zhvendosur në krahun e majtë që është krahu i tij natyral, por edhe aty argjentinasi nuk bëri mirë. Dalot mori ovacione nga tifozët e Manchester United për markimin që i bëri Garnachos. Për më tepër Manchester United, postoi në rrjetet socile foto të shumta ku argjentinasi dilte shumë keq në duelet konkrete me Casemiro dhe Mazraoui.

Alejandro Garnacho u transferua te Chelsea në gusht të 2025 për 46 milionë euro. Deri në këtë moment niveli i tij është larg pritshmërive. Një gol dhe vetëm 4 asiste në 23 ndeshje të kampionatit për të. Ajo që ndodhi në dhomat e zhveshjes në pushimin e ndeshjes me Manchester United është vetëm vazhdimi i agonisë së tij në Stamford Bridge.

Top Channel