Chivu i gëzohet suksesit: Ky grup ka ADN zikaltër, përmbysje kështu janë tipikë të një Interi të çmendur

22/04/2026 10:21

Cristian Chivu nuk e fshehu aspak entuziazmin e tij pas fitores 3-2 ndaj Comos me Interin që preu biletën për në finalen e 13 majit në Romë.

Trajneri rumun nuk ia kurseu aspak lëvdatat skuadrës së tij në përfundim të kësaj sfide ku u desh të përmbysë një tjetër disavantazh 0-2 ndaj skuadrës së Fabregas.

‘Ky rezultat është puna e një grupi që po bën mirë që në fillim të sezonit dhe kjo vihet re kur ata thirren në apel në momente të rëndësishme-tha Chivu-ata që hynë nga stoli dhanë një ndihmë të madhe duke e kuptuar momentin, duke e ditur se çfarë duhet të bënin, patën personalitet, kurajo dhe ishin vendimtarë, si Susic ashtu edhe Diouf dhe Esposito. Ky grup ka një dëshirë të çmendur për të qenë kompetitivë deri në fund’

Chivu foli edhe për shanset që ka Interi që të fitojë dy trofe në këtë sezon, kampionatin dhe Kupën e Italisë

‘Me punën dhe rezultatet e arritura e kemi vënë veten në kushtët që të mund të ëndërrojmë si fitoren e kampionatit ashtu edhe të Kupës së Italisë-shtoi Chivu-këto muaj u krijua një lloj tregimi rreth nesh, e njoh sepse e kam përjetuar edhe si futbollist, e di se çfarë janë detyruar të gëlltisin djemtë e mi’

Chivu nuk harroi të përmendë edhe Comon dhe forcën e kësaj skuadre

‘Ishim të vetëdijshëm për forcën e Comos, ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit, e megjithatë ia dolëm t’i shënonim shumë gola-tha Chivu-por këta djem kanë dëshirën, vendosmërinë dhe krenarinë, kanë ADN e Interit brenda vetes dhe të përmbysësh Comin 2 herë në pak ditë është një çmenduri tipike e Interit’

Dhe në fund, Chivu foli për krahasimin që i bënë me Jose Mourinhon me portugezin që në 2010 realizoi tripletën e trofeve me Interin

‘Gazetarëve iu pëlqejnë të shkruajnë tituj, mua jo-tha trajneri rumun-unë jam Chivu, punoj me pasion e zemër, kërkoj të jap më të mirën në punën time që t’u jap kënaqësi atyre që besuan te unë dhe skuadra ime, ndoshta duke arritur ndonjë objektiv’.

Top Channel