“Sonte do të darkojmë në shtrat”/ Vjen në teatrin eksperimental vepra që trajton raportet në familje dhe në shoqëri

21/04/2026 20:05

Komedia “Sonte do të darkojmë në shtrat”, e Marc Camoletti, autorit francez i njohur veçanërisht për “Boeing Boeing” u shfaq premierë në Teatrin Eksperimental nën regjinë e Kiço Londos.

Përmes një dialogu të mprehtë, situatave të ekzagjëruara dhe ritmit të lartë skenik, vepra trajton raportet në familje dhe shoqëri.

“Është një komedi që e kam pasur për shumë kohë brenda vetes. Është pak më djallëzore se sa “Boing Boing”, konfliktet janë më të mëdha. Këtu janë tre çifte dhe situate bëhet interesante, nga një gabim i vogël, nis një uragan ngjarjesh”, tha regjisori Kiço Londo.

Kur një çift planifikon takime të fshehta në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, gjithçka kthehet në një rrëmujë komike plot keqkuptime dhe shumë të papritura, që vijnë në skenë përmes lojës skenike të aktorëve Cubi Metkaj, Erdit Asllanaj, Suela Prendi, Eno Basha, Greta Cani dhe Anxhelo Shkreli.

“Gjashtë aktorët, me të cilët punoj për herë të parë, me një komedi kaq cilësore, janë të mrekullueshëm”.

Regjisori ndihet i surprizuar nga ky bashkëpunim me artistët e brezit të ri, të cilët, sipas tij, meritojnë më shumë vëmendje.

“Kemi aktorë që kanë hyrë në mendjen dhe shpirtin e publikut, gjithashtu mendoj që ne kemi aktorë të rinj të mrekullueshëm. Ky vend nuk vuan për njerëz, vuan për kujtesë. Duhet të kujtohemi që aktorët shqiptarë duhen mbështetur”.

Pas premierës, komedia do të vijojë rrugëtimin në Teatrin Kombëtar, në amfiteatrin “Mirush Kabashi” dhe më pas në teatrot e qyteteve të tjera të vendit.

Top Channel