Real Madrid ka bërë detyrën në javën e 33-të të La Ligas, duke siguruar një fitore të pastër dhe me peshë të madhe 2-1 përballë Deportivo Alaveshit.

Në një moment kritik të sezonit, kur çdo gabim mund të kushtojë titullin kampion, “Los Blancos” treguan cinizmin e tyre karakteristik në fushë, të udhëhequr nga dyshja e tyre e “artë”, Kylian Mbappe dhe Vinicius Jr.

Takimi nisi me një dominim të qartë të madrilenëve, të cilët kërkuan që në fillim të impononin ritmin e tyre. Rezistenca e Alaveshit zgjati vetëm gjysmë ore. Në minutën e 30-të, ishte Kylian Mbappe ai që gjeti rrugën e rrjetës, duke zhbllokuar shifrat dhe duke i dhënë skuadrës qetësinë e nevojshme për të shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazh.

Me fillimin e fraksionit të dytë, ekipi i Arbeloas nuk i la asnjë hapësirë reagimi kundërshtarit. Në minutën e 50-të, Vinicius Jr u shfaq në zonë për të dyfishuar shifrat, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke “vrarë” përfundimisht çdo shpresë të miqve për një pikë të mundshme. Pjesa e mbetur e ndeshjes, përfshirë edhe minutat shtesë sollën vetëm një gol sa për statistikë të Alavesh nga Martinez që nuk ndikoi aspak në pikët e plota të fituara nga vendasit.

Ky trepikësh i fituar në shtëpi ka një rëndësi jetike për tabelën e klasifikimit. Fitorja 2-0 e mban Real Madridin fuqishëm në shinat e duhura dhe transferon të gjithë presionin psikologjik mbi supet e Barcelonës.

Me vetëm pesë javë të mbetura deri në përfundim të kampionatit spanjoll (15 pikë maksimale në lojë), çdo ndeshje është kthyer në një finale. Madrilenët konfirmojnë se janë në një formë optimale fizike dhe sulmuese në këtë sprint të fundit të sezonit. Tanimë sytë e të gjithë sportdashësve kthehen nga përgjigjja që do të japin katalanasit. Gara mes dy gjigantëve të futbollit iberik premton të dhurojë një “fotofinish” dramatik dhe spektakolar për kurorën e La Ligas, ku asnjëra prej skuadrave nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas.

Top Channel