Detajet/ Konflikti i hershëm degradoi në përdorimin e armës së zjarrit, si ndodhi vrasja në Memaliaj, vëllai i autorit i plagosur me 4 plumba

21/04/2026 21:34

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Memaliajt, në Tepelenë, duke lënë pas një viktimë dhe një të plagosur.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se si pasojë e të shtënave ka humbur jetën 30-vjeçari Endri Goxhaj. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy personave, i cili dyshohet se ka qenë i hershëm dhe ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit nga 29-vjeçari Donaldo Nela.

Endri Goxhaj-Viktima

Si pasojë e të shtënave, Endri Goxhaj ka ndërruar jetë ndërsa i plagosur ka mbetur edhe vëllai i autorit, 25-vjeçari Dario Nela, në rrethana ende të paqarta.

Mësohet se ai po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi ka marrë katër plumba: dy në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë.

Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali në qendër të Memaliajt. Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili është larguar në drejtim të paditur.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e këtij krimi.

Top Channel