Nga Krasnodari në Kharkiv/ Lufta merr jetë civile ndërsa shtyhen bisedimet për paqe, dy fëmijë vriten pas sulmit me dron në një çerdhe
Ushtria izraelite ka nisur një hetim në lidhje me një pjesëtar të saj, i cili është fotografua duke goditur me çekan një statujë të Jezusit në jug të Libanit.
Duke cituar IDF-në, The Guardian thotë se fotoja që ka qarkulluar online është autentike dhe po trajtohet me seriozitetin më të madh. Ushtari shihet aty teksa përdor çekanin për të goditur kokën e statujës së rrëzuar.
Skulptura gjendet në Debl, një fshat me shumicë kristiane në jug të Libanit, pranë kufirit me Izraelin. Në një postim në llogarinë e saj zyrtare në platformën X, IDF-ja pohon se “sjellja e ushtarit është krejtësisht e papërshtatshme me vlerat që priten të tregohen nga trupat e saj”. “Pas përfundimit të një ekzaminimi fillestar lidhur me fotografinë e publikuar më herët, e cila tregon një ushtar të IDF duke dëmtuar një simbol të krishterë, u përcaktua se fotoja e dëshmon vërtet veprimin e tij, në një episode të ndodhur në jug të Libanit”, thuhet në njoftim. Incidenti po hetohet nga Komanda Veriore e ushtrisë dhe po trajtohet “përmes të gjithë zinxhirit komandues”, vazhdon mesazhi.
Ushtria izraelite thotë se do të merren masat e nevojshme ndaj personave të përfshirë, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, e dënoi atë që e përshkroi si “akt të turpshëm”.
“Kërkojmë falje për këtë incident dhe për çdo të krishterë që u ndje i ofenduar”, shkroi ai në X. Libani u përfshi në luftën e Lindjes së Mesme në fillimin e muajit mars kur grupi i armatosur që vepron atje i mbështetur nga Teherani, Hezbollahu, lëshoi raketa drejt Izraelit në mbështetje të Iranit dhe shteti hebre u përgjigj me sulme masive në gjithë Libanin dhe me mësymje në rajonet jugore.
Trupat izraelite janë ende në jug të vendit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi ditën e premte.
Top Channel