Mbi 3,500 forca policie ishin të pranishëm në stadium për derbin, por tensioni me tifozët ishte i lartë. Lojtarët hodhën shishe në tribunë për t’u ofruar ujë tifozëve.

Kaosi shpërtheu në derbin e madh të Paraguait midis Olimpia-s dhe Cerro Porteño-s, duke detyruar ndërprerjen e ndeshjes. Sfida, e cila ishte pa gola deri në minutën e 30-të të pjesës së parë, u ndërpre kur gjyqtari Juan Gabriel Benitez dha urdhrin për ndalimin e lojës për shkak të dhunës që shpërtheu në tribunën veriore midis tifozëve të Cerro-s dhe policisë. Forcat e rendit ndërhynë në zonën ku ndodhej një grup tifozësh, duke përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë personat e përfshirë në trazira.

Një inspektor i Policisë Kombëtare të Paraguait deklaroi për shtypin vendas: “Ka të lënduar, si nga radhët e oficerëve të policisë, ashtu edhe nga tifozët e Cerro-s”, pa specifikuar numrin e saktë të tyre.


Përdorimi i lëndëve kimike shkaktoi asfiksi dhe panik te spektatorët, shumë prej të cilëve kërkuan strehim në fushë, pasi e kishin të pamundur të evakuoheshin përmes daljeve kryesore. Lojtarët e Cerro Porteño-s, të udhëhequr nga ish-lojtari i Aris-it, Juan Iturbe, u përpoqën t’u vinin në ndihmë tifozëve duke hedhur shishe uji në tribuna, siç raporton “ABC Color”.

Prania e policisë në këtë ngjarje ishte më e lartë se zakonisht, me më shumë se 3,500 forca të angazhuara për sigurinë e derbit të dytë të madh të sezonit. Ambulanca të shumta mbërritën në stadium për të transportuar të plagosurit drejt spitaleve, përfshirë edhe personat që humbën ndjenjat nga efekti i gazit lotsjellës.

Top Channel