Darzeza nën ‘pushtetin’ e ndotjes/ Mbetjet në kolektorin e Levanit derdhen në det, rrezikohet sezoni turistik

20/04/2026 19:53

Në një kohë kur pritet të nisë sezoni i plazhit dhe përgjatë vijës bregdetare ka nisur pastrimi për të pritur pushuesit, një tjetër realitet shqetësues vijon paralelisht ne bregdetin e Darzezes.

Kolektori i Levanit vazhdon të ndotë ujërat me mbetje organike, që sipas banorëve vijnë nga kompleksi i mbarështimit të derrave në zonë, duke kthyer këtë problem në një rrezik të vazhdueshëm për mjedisin dhe shëndetin.

Ndotja e kolektorit të Levanit mbetet një problem i kahershëm për banorët e zonës. Ata shprehen se prej vitesh përballen me të njëjtën situatë, ku mbetjet organike derdhen drejtpërdrejt në ujë, duke ndotur jo vetëm kolektorin, por edhe tokat bujqësore përreth.

Sipas banorëve, shkak i kësaj ndotjeje janë stallat e kafshëve, kryesisht kompleksi i mbarështimit të derrave pranë kolektorit, të cilat shkarkojnë mbetjet pa asnjë trajtim, duke rënduar ndjeshëm situatën mjedisore.

Shqetësues mbetet edhe fakti se ujërat e ndotura përfundojnë në hidrovoret e zonës dhe më pas derdhen në det, duke rrezikuar ndotjen e vijës bregdetare në prag të sezonit turistik dhe duke ngritur shqetësime për shëndetin publik. Peshkatarët tregojnë se dikur ujërat e kolektorit ishin të pastra dhe të pasura me gjallesa ujore, ndërsa sot ndotja ka reduktuar ndjeshëm biodiversitetin dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në jetesën e tyre.

Përballë kësaj situate të pandryshuar prej vitesh, banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, për t’i dhënë fund ndotjes dhe për të shmangur pasojat që mund të rëndohen edhe më shumë me nisjen e sezonit turistik.

Top Channel