“Ka një shtim gati dyfish të alergjive të stinës”, tha mjeku Mehmet Hoxha.
Ndryshimet klimatike dhe zgjatja e stinëve kanë ndikuar edhe në shtimin e alergjive, ndërkohë që mjekët shohin me problem ndërthurjen e alergjive ushqimore me ato ambientale.
“Po shohim tanimë alergji jo vetëm nga një polen, por nga disa, nga pluhurat ambientalë, nga kafshët. Po një problem i shtuar është kombinimi i alergjive ushqimore me ato mjedisore”, tha mjeku.
Mjekët thonë se kjo rritje e alergjive ka agravuar simptomat te pacientët e prekur prej tyre, duke rritur numrin e pacientëve astmatikë.
“Për alergji ne jemi mësuar me rrufë, skuqje hundësh, lot, por tanimë gjithnjë e më shumë po shohim raste astmatike, janë shtuar pacientët astmatikë”, tha mjeku Hoxha.
Një gabim që bëjnë pacientët me alergji, shpjegon mjeku, është mjekimi me ChatGPT apo duke marrë disa qetësues në farmaci, ndërkohë që alergjitë duhen trajtuar.