Studimi për shtypin arbëresh, pas 50 vitesh del në dritë historia e shtypit arbëresh në studimin e Hamit Boriçit

19/04/2026 19:59

Në 1976, Hamit Boriçi, në atë kohë pjesë e Institutit të Letërsisë dhe Gjuhësisë, nisi një studim mbi shtyp arbëresh, por projekti i tij mbeti përgjysmë, por jo në harresë.

Pas 50 vitesh, studimi që profesori 96-vjeçar e vijoi në bashkëpunim me Jolanda Lilën nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët gjeti dritën e botimit.

Kërkimi hedh poshtë tezën se “L’Albanese D’Italia” është gazeta e parë shqiptare, por luajti rol si paralajmëtare e gazetarisë shqiptare.

Prof. Dr. Hamit Boriçi, studiues u shpreh “Edhe ky libër është i vogël përballë materialit që kemi përpara. Deri më tani kemi pasur mendimin që gazetaria shqiptare ka filluar prej arbëreshëve, por tani del që nuk ka filluar prej tyre, por prej individëve. Janë disa gazeta që janë brumë që ne akoma nuk e kemi studiuar dhe shpresoj që kolegia ime ti vijojë”.

“Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme” analizon zhvillimin historik të shtypit arbëresh prej gjysmës së parë të shek. XIX, që ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun mtar shqiptar

Publicistët e parë arbëreshë lindin nga mjedisi në të cilin ishin, ne e dimë që arbëreshët janë shtetas të plotë italian. Veçanërisht Napoli ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, ekonomike dhe ku ka lulëzuar jo vetëm gazetaria arbëreshe, por ka një kontribut të madh për historinë e shtypit Italian. Tek “Omnibus” gjejmë edhe botimet e De Radës, janë disa poezi të tij në vitin 1835”, u shpreh Dr. Jolinda Lila, autore e veprës studimore.

Vepra u promovua në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Shtypi i shkruar nis dhe mbështetet te njoftimet e vogla, ndërsa ajo që unë shoh në libër është një shtyp që nuk mbështetet te njoftimet e vogla, por shpalos një platformë kombëtare, është shtypi i kauzës. Ne na vjejn gazetari i kauzës si një elitë intelektuale, gjë që sot nuk e kemi. Profesor Hamiti ka bërë këtu një provokim të mirë, për të na tronditur… cili është sot roli i gazetarit në shoqëri”, u shpreh Prof. Akad. Artan Fuga, studiues.

Ndërsa Prof. Dr. Mark Marku, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u shpreh “Kjo pasuri e madhe që Profesor Hamiti ka është kërkimi i vërtetë shkencor, ndërkohë që librat janë vetëm një pjesë e këtij kërkimi. Ndaj kontributi i Profesorit është jashtëzakonisht i madh”.

Libri shfaq dhe gjendjen e shtypit arbëresh sot, ku të vetmit periodikë janë revista “Katundi ynë”, “Jeta arbëreshe” në formatin online dhe dy buletinë fetarë.

Top Channel