Romelu Lukaku rishfaqet. Sipas të përditshmes ‘Corriere Dello Sport’, pas një muaji pune të personalizuar në Belgjikë, sulmuesi përmes agjentit të tij Federico Pastorelllo bëri të ditur kthimin e tij në Itali dhe këtë të hënë ai pritet t’i bashkohet skuadrës në Castel Volturno.

Çështja lindi kur Romelu Lukaku hoqi dorë nga zhvillimi i ndeshjeve miqësore të marsit me Belgjikën ndaj SHBA dhe Meksikës; ishte vetë futbollisti që përmes rrjeteve sociale shpjegoi se vendosi të mos jetë i pranishëm për shkak të një problemi muskular dhe më pas, në kundërshtim me dëshirën e Napolit komunikoi qëndrimin e tij në Belgjikë për të bërë punë të personalizuar

Klubi i Napolit nga ana e tij hapi një procediment disiplinor dhe e gjobiti për mungesë në dy grumbullime. Një krisje e rëndësishme kjo me Conten dhe klubin që gjithsesi është informuar çdo ditë për punën dhe gjendjen e futbollistit. 

Kontakti i fundit ballë për ballë mes Lukakut dhe Contes ka qenë në transfertën e Cagliarit në 20 mars ku nuk luajti ashtu sikurse ndaj Lecces. Pas golit në Verona i vetmi i shënuar prej tij në një sezon shumë të turbulluar, Lukaku ka luajtur vetëm 6 minuta kundër Torinos.

Top Channel