Massimiliano Allegri dhe hipoteza për stolin e Italisë: Nuk kam marrë telefonata, mendja ime vetëm te Milani

19/04/2026 18:54

Milani u rikthye te fitorja teksa mundi Veronën në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 1-0 dhe është shumë pranë arritjes së objektivit, kualifikimit për në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri Allegri i kënaqur për rezultatin e skuadrës së tij konfirmoi edhe qëndrimin në pankinën e Milanit duke shuar për momentin zërat që e shohin atë në stolin e Italisë.

‘Deri në këtë moment nuk kam marrë telefonata, kam nisur një rrugëtim me Milanin dhe synimi është që ta vazhdoj-tha trajneri toskan-mendja ime është vetëm këtu. Leao? Bëri një ndeshje të mirë dha një asist të bukur, pastaj bëta ndryshime sepse kisha nevojë për diçka tjetër. Në ndeshjet e mbetura të gjithë duhet të ndihen të rëndësishëm, edhe ata që luajnë më pak’

Më pas Allegri bëri analizën e fitores ndaj Veronës që erdhi falë golit të Rabiot.

‘Ndeshja e sotme ishte e komplikuar, kur vjen në fund ato që kanë rëndësi janë pikët dhe ka më shumë presion-shtoi Allegri-Në Verona gjithnjë është e komplikuar të luash. Sigurisht mund të bënim më mirë teknikisht, por tani duhet të përqendrohemi te gjërat thelbësore. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë punuan mirë në momentin kur nuk e kishim topin në zotërim, skuadra e donte këtë fitore sepse ishte e rëndësishme. Në këtë pikë fitorja shkon përtej lojës së bukur’.

Top Channel