Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, Pakistani dhe Irani intensifikojnë kontaktet diplomatike për paqe
Negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po zhvillohen nën një presion të fortë kohor, me synimin për të arritur një marrëveshje përpara skadimit të armëpushimit këtë të mërkurë. Por, skepticizmi mbetet i lartë për mundësinë e një zgjidhjeje të shpejtë.
Në krye të ekipit amerikan është zëvendëspresidenti JD Vance, i mbështetur nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrii presidentit Donald Trump.
Megjithatë, ekspertët vënë në pikëpyetje përvojën e këtij ekipi për të përballuar një proces kaq kompleks. Analistë ndërkombëtarë theksojnë se marrëveshje të tilla kërkojnë vite negociatash dhe ekspertizë të thellë teknike.
Një shembull është marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e koordinuar nga ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila deklaron se procesi zgjati plot 12 vite dhe përfshiu qindra diplomatë dhe ekspertë.
“Nga përvoja jonë, kjo kërkon kohë dhe punë të jashtëzakonshme teknike. A mund të bëhet brenda 21 orësh? Është e vështirë të besohet”, është shprehur ajo.
Në qendër të mosmarrëveshjeve mbetet çështja e pasurimit të uraniumit nga Irani, një pikë kyçe që ka bllokuar progresin. Shtetet e Bashkuara kërkojnë kufizime afatgjata, ndërsa Teherani nuk pritet të pranojë kushte të tilla.
Sipas analistëve, rezultati më i mundshëm mund të jetë një version i modifikuar i marrëveshjes së vitit 2015, e arritur gjatë presidencës së Barack Obama, nga e cila SHBA u tërhoq në vitin 2018.
Ndërkohë, zërat kritikë paralajmërojnë se një marrëveshje e nxituar mund të sjellë më shumë probleme në të ardhmen, duke e bërë këtë proces edhe më të ndërlikuar sesa duket.
Top Channel