Urban Gen, skena e re e të rinjve/ Talent, debat dhe energji, emisioni më i ri nis sot në Top Channel

18/04/2026 13:13

Një program dedikuar tërësisht të rinjve. Nën moderimin e Lei Krajës dhe Kristi Lamajt, Urban Gen hap sot dyert për brezin e ri që dëshiron të shfaqë talentin dhe të bëhet pjesë e debateve për të ardhmen e tij.

“Ka një fokus vetëm për të rinjtë, për të nxjerrë aftësitë dhe mendësinë e tyre, çfarë mendojnë, si reagojnë, çfarë aktivitetesh kanë, çfarë talentesh kanë. Janë shumë më të guximshëm për hir të së vërtetës”, shprehet moderatorja Lei Kraja.

Lei Kraja bëhet pjesë e një hapësire ku energjia e të rinjve do të marrë dritë dhe ku studio do të shndërrohet në një urë lidhëse mes brezave.

“Çdo episod do të ketë surpriza, të ftuar të moshave të ndryshme. Është për brezin e ri, por do të kemi mosha të tjera për të kundërshtuar ide ose të përfshihet në debat, të shkëmbejnë mendime”, shtoi moderatorja.

Ndërsa për këngëtarin Kristi Lamaj, ky projekt i fondacionit “Dritan Hoxha” ishte një ftesë, të cilës iu përgjigj menjëherë pozitivisht, me qëllim mbështetjen e kësaj grupmoshe.

“Është një dashuri e re imja, që sapo m’u propozua, pranova menjëherë. Kemi qenë në javë intensive pune së bashku me të gjithë stafin për të dhënë më të mirën. Do të vij ndryshe këtë herë, kam eksploruar veten time. Do të jenë episode plot larmishmëri dhe dinamika”, tha ish-banori i BBVA5 Kristi Lamaj.

Urban Gen është platforma që i duhet të rinjve për të shprehur idetë e tyre dhe mendimet për çështje që i prekin drejtpërdrejt si arsimi, kulura, teknologjia dhe sfidat sociale.

“Për të rinjtë duhet një dritare që të shpalosin energjinë, kreativitetin e tyre. Ne si publik dhe shoqëri të njihemi me avancimin e të rinjve dhe mënyrën si bëjnë art”, tha këngëtari.

Pavarësisht nga vijnë, pavarësisht si shprehen, çdo vajzë dhe djalë nga mosha 16-20 vjeç mund të bëhet pjesë e “Urban Gen”, që do të transmetohet çdo të shtunë në orën 16:45 në ekranin e Top Channel, sepse të rinjtë kanë nevojë të dëgjohen!

Top Channel