Manchester United rikthehet te fitorja në momentin më të rëndësishëm të sezonit, duke mposhtur 1-0 Chelsea-n në “Stamford Bridge” dhe duke konsoliduar pozitat në zonën e Ligës së Kampionëve.

Ndeshja ishte e ekuilibruar në pjesën e parë, me Chelsea-n që u shfaq më kërkues. Londinezët iu afruan golit me Estêvão-n, i cili goditi shtyllën, ndërsa më pas Enzo Fernández ishte pranë shënimit. Megjithatë, në momentin e vetëm konkret të miqve, erdhi edhe goli vendimtar: Matheus Cunha shfrytëzoi një asist të Bruno Fernandes-it dhe mposhti portierin për 1-0.

Në pjesën e dytë, Chelsea rriti presionin dhe ishte disa herë pranë barazimit. Delap goditi traversën me kokë, ndërsa edhe një tjetër rast përfundoi në shtyllë pas një devijimi në zonë. Cole Palmer provoi nga distanca, ndërsa në fund Moisés Caicedo ishte shumë pranë golit, por pa sukses.

Pavarësisht përpjekjeve, “Blutë” nuk arritën të thyenin mbrojtjen e United, që menaxhoi mirë avantazhin deri në fund. Kjo humbje është e katërta radhazi në shtëpi për Chelsea-n, një statistikë negative që nuk ndodhte prej vitit 1998.

Me këtë sukses, Manchester United krijon një diferencë të rëndësishme në renditje ndaj rivalëve direktë për Champions, ndërsa Chelsea sheh t’i zbehen ndjeshëm shpresat për një vend në katërshen e parë dhe tashmë rrezikon të mbetet jashtë elitës evropiane sezonin e ardhshëm.

Top Channel