Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi për të trembëdhjetin vit radhazi Konferencën Ndërkombëtare Shkencore, “Ditët e Studimeve Shqiptare”, një nga aktivitetet më të konsoliduara në jetën akademike dhe shkencore të institucionit.
E organizuar në bashkëpunim me Panteion University, këtë vit konferenca bëri bashkë 98 pedagogë dhe kërkues shkencorë nga 20 vende të botës, duke e kthyer UET në një pikëtakim të rëndësishëm të debatit akademik ndërkombëtar.
Me fokusin te inteligjenca artificiale gjeneruese dhe ndikimi i saj në shoqëri, një temë që po sfidon mënyrën si mendojmë, krijojmë dhe organizojmë sistemet tona, 150 punime shkencore u prezantuan në kuadër të kësaj konference, duke sjellë perspektiva të reja kërkimore dhe qasje ndërdisiplinore mbi sfidat dhe mundësitë që kjo teknologji paraqet për të ardhmen.
Duke e vendosur këtë debat në një kontekst më të gjerë historik dhe ekonomik, Presidenti i UET, Selami Xhepa, bëri një krahasim mes revolucioneve industriale dhe zhvillimeve të sotme teknologjike, duke vënë në dukje ritmet e ndryshme të rritjes së produktivitetit.
“Statistikat tregojnë se, nëse në revolucionin e parë produktiviteti i punës rritej 3–6% në vit, sot rritet 0.7% dhe ndoshta vetëm për ekonominë më inovative, që është ekonomia amerikane”, tha Selami Xhepa.
Në të njëjtën linjë reflektimi, por duke e zhvendosur fokusin te ndikimi më i thellë i teknologjisë, Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Drita Kruja, theksoi se sfida nuk qëndron thjesht te përdorimi i inteligjencës artificiale, por te transformimet që ajo sjell në vetë strukturat e sistemeve tona.
“Por se çfarë po ndryshon ajo vërtet në themelet e sistemeve tona dhe mbi të gjitha si duhet t’i përgjigjemi ne si universitete, si institucione dhe si shoqëri”, u shpreh Drita Kruja.
Nga një këndvështrim ndërkombëtar, Zv.rektorja e Panteion University, Maria Meng-Papantoni, u ndal te dimensioni transformues i inteligjencës artificiale në jetën institucionale dhe shoqërore, duke theksuar nevojën për reflektim dhe guxim për ndryshim.
“Inteligjenca artificiale gjeneruese jo vetëm që sfidon sistemin, por na fton të reflektojmë mbi atë që në atë sistem duhet të ruajmë dhe çfarë duhet të kemi guximin të rimendojmë”, tha Maria Meng-Papantoni.
Përmes paneleve tematike dhe diskutimeve ndërdisiplinore, konferenca prodhoi dokumente të rëndësishme për të adresuar sfidat dhe mundësitë që inteligjenca artificiale gjeneruese sjell për shoqërinë dhe institucionet, duke e vendosur universitetin në qendër të këtij dialogu global mbi të ardhmen.
Top Channel