Roberto De Zerbi po kërkon me çdo kusht të ndezë shkëndijën me Tottenhamin e tij me skuadrën londineze që është në një krizë identiteti dhe rezultatesh duke u përpjekur që të përmirësojë raportin njerëzor mes tij dhe futbollistëve.

Nuk ka përsëritje taktike deri në natën vonë, por një darkë grupi në qendër të Londrës. Motivi? Të shpëtojë Tottenham nga rënia në Championship.

Sipas asaj që publikohet nga The Telegraph, të mërkurën trajneri e çoi stafin dhe futbollistët e tij në restorantin një ekskluzivitet lokal në lagjen Mayfair, një tentativë kjo për të lehtësuar presionin e një klasifikimi që djeg dhe për të rindërtuar një lidhje njerëzore përpara asaj sportive.

Përpara tij edhe Igor Tudor provoi të shkundë ambientin duke e çuar skuadrën në darkë, por pa marrë asnjë rezultat; asnjë fitore dhe largim i parakohëshë. Por impakti i italianit duket se ka qenë ndryshe. Pavarësisht humbjes në debutim ndaj Sunderlandit raportet me lojtarët duken më të mira edhe pse mali për t’u ngjitur mbetet shumë i lartë.

‘Detyra ime nuk është të imponoj një stil loje tani, por t’u jap futbollistëve atë që kanë nevojë mentalisht-deklaroi De Zerbi

Aktualisht Tottenham është në vendin e tretë nga fundi në Premier League, 2 pikë larg West Ham dhe me një të dhënë shumë shqetësuese; asnjë fitore në kampionat në 2026. Situata rëndohet akoma më shumë nga mungesa e një lideri në mbrojtje si Cristian Romero që e ka mbyllur sezonin për shkak të një dëmtimi të pësuar në ligamente pikërisht në ndeshjen me Sunderland.

Mungesa e besimit u pohua edhe nga mbrojtësi  Micky van de Ven, duke konfirmuar momentin dramatik. ‘Psikologjikisht është e vështirë. Vuajmë prej muajsh, nuk arrijmë të fitojmë dhe besimi është në nivelet minimale. Duhet të rigjejmë veten– tha van de Ven.

Pasditen e së shtunës në Tottenham Hotspur Stadium do të vijë Brightoni, krijesa që De Zerbi e çoi në Evropë dhe tani rrezikon t’iu japë një goditje shpresave të mbijetesës së trajnerit italian.

Top Channel