Kritika të ashpra edhe nga Oliver Kahn: Reali i Madridit nuk mund të vazhdojë kështu, titujt që kanë flasin vetë.
Në 13-15 prill u mbajt Samiti i Diasporës Shqiptare me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që mori pjesë në panelin ‘Diaspora shqiptare dhe fuqia e sportit’ ku të pranishëm ishin edhe dy ish kapitenët e Kombëtares Altin Lala dhe Lorik Cana.
Në fjalën e tij, Duka vuri në dukje rëndësinë e investimeve dhe të marrëdhënieve me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke nënvizuar se diaspora është një potencial i madh për zhvillimin e futbollit shqiptar.
‘Është vërtetë kënaqësi shumë e veçantë për mua që të jem në këtë panel të nderuar me Zv.ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, me dy figura shumë të rëndësishme të futbollit shqiptar, dy ish-kapitenë, të dy ish-futbollistë, Altin Lala dhe Lorik Cana. Për t’u kthyer në një lloj mënyre në temën që ju hapët, investimet që duhet të bëjmë që shqiptarët që jetojnë në botë të kthehen në një potencial në zhvillimin e sportit në Shqipëri-tha ndër të tjerat në fjalën e tij Duka.
Ai theksoi gjithashtu se rezultatet e ekipit Kombëtar kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit dhe në forcimin e lidhjes me shqiptarët kudo në botë. Ai përmendi si momente të rëndësishme kualifikimet e Shqipërisë në Europianin 2016 dhe Europianin 2024, që kanë ndikuar pozitivisht edhe në promovimin e imazhit të vendit.
‘Rezultatet e ekipit Kombëtar shqiptar, sidomos me kualifikimin në Euro 2016 dhe Euro 2024, qoftë edhe kualifikimin në play-off tani, i ka shërbyer në përgjithësi çështjes Kombëtare shqiptare. Ne mbase kemi pasur nevojë që ta tregojmë veten se kush jemi dhe Kombëtarja na e ka dhënë këtë mundësi. Ajo se çfarë ne duhet të investojmë që të krijojmë kushte sa më të mira kësaj Kombëtare, por edhe futbollit në Shqipëri për të shkuar më lart’-shtoi Duka
Një tjetër pikë që preku në fjalën e tij presidenti i FSHF është edhe zhvillimi i futbollit dhe lidhja e tij jo vetëm me rezultatet por edhe me ndikimin e sportit në edukimin dhe përfshirjen e të rinjve.
‘Padyshim që gjërat në Shqipëri kanë ndryshuar shumë në shumë drejtime. Ne jemi një vend që kemi kaluar një periudhë tranzicioni. Kemi pasur problematika, apo halle të mëdha dhe sot jemi goxha të zhvilluar dhe mund të mendojmë akoma më shumë për të rritur kualitetin e jetës. Dhe si mund të përmirësohet kualiteti i jetës, një nga mënyrat është sporti, është futbolli. Të paktën në vizionin tim dhe qëllimi jonë i futbollit nuk është thjeshtë për të bërë rezultat, por për të pasur sa më shumë njerëz që edukohen nëpërmjet sportit. Por që të kesh sa më shumë njerëz duhet të kesh rezultat, prandaj thashë që është një lloj rrethi. Besoj se si Federatë Futbolli kemi bërë goxha për të realizuar këtë objektiv. Kemi bërë goxha për të pasur një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Sepse ne kemi ekipin Kombëtar sot, dhe jo vetëm ekipin Kombëtar, por ekipet Kombëtare, që luajnë të rinj që mbase janë lindur jashtë Shqipërie. Investimet në vend, investimet në marrëdhënie, investimet në rezultate janë më të duhurat dhe më të domosdoshme për të shkuar më përpara’-tha Duka.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e tifozëve shqiptarë, duke i cilësuar ata si një mbështetje të jashtëzakonshme për ekipin Kombëtar
‘Në futboll quhet lojtari i 12-të, kurse në Shqipëri mund të thuash më shumë se sa lojtari i 12-të, sepse aq shumë e mbështesin futbollin në Shqipëri, aq shumë e duan, aq shumë kërkojnë që të ketë rezultat sa vërtetë është më shumë se lojtari i 12-të. Padyshim që ka politika dhe strategji për t’i ofruar sa më shumë. Fakti që sot në Shqipëri nuk është problem që të kemi njerëz në stadium, të paktën në ekipin Kombëtar, por është problem se si t’i sigurojmë një biletë njerëzve, do të thotë që është bërë një punë e mirë për t’i afruar spektatorët, për të mbështetur kryesisht ekipin Kombëtar’-tha kreu i FSHF.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për rolin e sportit në diplomacionë ndërkombëtare, teksa theksoi se futbollistët shqiptarë kanë qenë ambasadorë të rëndësishëm të vendit në shumë shtete të botës.
‘Shtetet lodhen dhe investojnë shumë për diplomacinë, për të pasur një përfaqësim shumë të mirë nëpërmjet njerëzve që emërojnë nëpër ambasada për të rritur imazhin e vendit të vet. Ne fatmirësisht në futboll nuk e kemi këtë vështirësi, sepse kemi ambasadorë në të gjithë botën. Me të gjithë respektin që kam për të gjithë zyrtarët dhe përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare, nuk besoj se e ka ngrit imazhin e Shqipërisë, për shembull në Gjermani më shumë se Altin Lala, apo ndonjë tjetër, sepse ne kemi shumë futbollistë të tjerë si Altini, por meqë Altini është këtu, apo Loriku dhe të gjithë futbollistët e tjerë. Pra ne kemi shumë ambasadorë në futbollin e luajtur, por ajo se çfarë mund të bëjmë ne duhet që të institucionalizojmë marrëdhënien dhe ta ruajmë, ta organizojmë dhe ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë dhuratë që kemi nëpërmjet futbollistëve gjatë karrierës, qoftë edhe pasi ndërpresin futbollin e luajtur-deklaroi Armand Duka në fjalën e tij
Top Channel