Kean-Pengwin, takimi sqarues shndërrohet në sherr, futbollisti kërcënon, më pas qetësohet
Klubi zviceran Lausanne-Sport ka zyrtarizuar një ndryshim të rëndësishëm në pankinë vetëm pesë javë para përfundimit të kampionatit.
Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Migjen Basha, është emëruar trajner i ekipit të parë deri në fund të sezonit. Basha nuk do të jetë i vetëm në këtë detyrë, pasi do të bashkëpunojë me Markus Neumayr, i cili gjithashtu do të ketë të njëjtin rol në drejtimin e skuadrës. Ky vendim është bërë publik nga vetë klubi, që i ka besuar kësaj dysheje një mision të vështirë: shpëtimin e ekipit nga rënia.
Lausanne-Sport ndodhet në një situatë të komplikuar në renditje dhe rrezikon seriozisht të largohet nga elita e futbollit zviceran, ndërsa sezoni po hyn në fazën vendimtare.
Për Bashën, kjo është një sfidë e re në karrierën e tij si trajner. Ai ka qenë pjesë e klubit edhe më parë, duke punuar si menaxher i talenteve, çka e bën një figurë të njohur brenda ambientit të skuadrës. Ndërkohë, Neumayr vjen me përvojë nga stafi teknik i Baselit, ku ka ushtruar rolin e ndihmëstrajnerit.
Tashmë, gjithçka do të varet nga puna e kësaj dysheje në javët e mbetura, ku çdo ndeshje do të jetë vendimtare për fatin e klubit në Superligën zvicerane.
Top Channel