“Mbështesin Shqipërinë në BE”, Gjekmarkaj takohet me kryetarin e parlamentit suedez, deputeti i PD: I shpreha edhe shqetësimet e opozitës dhe linçimin ndaj Berishës

15/04/2026 11:28

Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar një takim zyrtar në Suedi me Kryetarin e Parlamentit atje, Andreas Norlen, Nënkryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Morgan Johansson dhe deputetin Fredrik Ahlstedt.

Gjekmarkaj shprehet se gjatë bisedës së zhvilluar me ta, i ka vënë në pah shqetësimet që opozita shqiptare ka në lidhje rrugën e vendit tonë drejt BE.

Sipas tij, pjesë e diskutimit kanë qenë dhe “problematikat e thella të zgjedhjeve, veçanërisht linçimi politik i liderit të Opozitës Sali Berisha, zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025”.

Zyrtarët suedezë thotë Gjekmarkaj, kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave, respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe dialogut konstruktiv në Parlament, duke respektuar rolin dhe të drejtat e opozitës parlamentare.

Po ashtu ata kanë rikonfirmuar angazhimin e Parlamentit Suedez për të mbështetur anëtarësimin e plotë dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

Reagimi i plotë:

Gjatë vizitës zyrtare në Suedi pata nderin të zhvilloj një takim me Kryetarin e Parlamentit, Sh.T.Z. Dr. Andreas Norlen, së bashku me Nënkryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Z. Morgan Johansson dhe deputetin Z. Fredrik Ahlstedt.

Në emër të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Prof. Dr. Sali Berisha iu shpreha mirënjohjen e thellë për ndihmën e çmuar që Suedia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Kryeparlamentari Dr. Norlen rikonfirmoi angazhimin e tij dhe të Parlamentit Suedez për të mbështetur anëtarësimin e plotë dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

Gjatë këtij takimi diskutuam për disa nga shqetësimet kryesore që ngadalësojnë apo pengojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Problematikat e thella të zgjedhjeve, veçanërisht linçimi politik i liderit te Opozites Sali Berisha, zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, të reflektuara gjërësisht në raportin final të OSBE-ODIHR, ngushtimi i hapësirave dhe mohimi i të drejtave të opozitës në Parlament, presioni ndaj drejtësisë   dhe mbrojtja politike e zyrtarëve të lartë  nëpërmjet imunitetit parlamentar janë hapa pas në procesin e integrimit evropian.

Mikpritësit tanë theksuan rëndësinë e vazhdimit të reformave, respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe dialogut konstruktiv në Parlament, duke respektuar rolin dhe të drejtat e opozitës parlamentare.

Një delegacion i Komisionit për Punët e Jashtme do të vizitojë Shqipërinë muajin e ardhshëm për të parë dhe diskutuar nga afër këto zhvillime.

Mirënjohje Kryetarit Dr. Norlen dhe kolegëve të tij për pritjen miqësore dhe diskutimet e hapura, në shërbim të forcimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, brenda familjes europiane.

Top Channel