Paqe në duelin Flamurtari-Vora, ndeshja e mbijetesës përfundon në barazim, sot Vllaznia-Teuta dhe Tirana-Egnatia

12/04/2026 12:30

Abissnet Superiore vazhdon të flasë me dy gjuhë të ndryshme, me gjuhën e ambicies atje lart dhe me gjuhën e panikut në fundin e klasifikimit.

Java e 31-të nisi të shtunën në Vlorë, me një ndeshje që duhej të vendoste, por vendosi vetëm një gjë: se beteja për mbijetesë mbetet e hapur dhe e paqartë.

Flamurtari dhe Vora e mbyllën pa fitues takimin, duke barazuar 1-1, në një përballje direkte për mbijetesë. Miqtë kaluan të parët me golin e Luis Felipe që në minutën e gjashtë, pas një goditjeje me kokë si finalizim i një aksioni të mirëorganizuar, ndërsa Diavara riktheu ekuilibrin për vendasit në minutën e 14-të, duke shfrytëzuar një moment të favorshëm brenda zonës.

Pas dy golave të shpejtë, fusha u qetësua, raste nuk pati dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Me këtë pikë, Vora ngjitet në vendin e tetë në renditje me 31 pikë, ndërsa Flamurtari mbetet në fund të klasifikimit me 26 pikë, duke parë t’i zvogëlohen shanset e mbijetesës javë pas jave.

Sot Abissnet Superiore rikthehet me dy ndeshje me peshë të ndryshme, por me intensitet të barabartë. Tirana pret Egnatinë në “Selman Stërmasi”, duke kërkuar rikthimin te fitorja pas barazimit të javës së kaluar, ndërsa kampionët në fuqi do të tentojnë të marrin pikët e plota.

Ndërkohë, në mbrëmje, Vllaznia do të presë Teutën në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë duan fitoren për të forcuar pozicionin në krye të tabelës, ndërsa durrsakët shkojnë të kërkojnë surprizën në transfertë.

Java mbyllet të hënën me dy ndeshje që prekin të dyja krahët e tabelës. Bylis pret Dinamo City-n në “Adush Muçaj”, me blutë e kryeqytetit duke luftuar për vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në Final Four. Mbrëmjen e së hënës spikat Elbasani–Partizani në “Elbasan Arena”, një duel me ngjyra europiane. Kampionati shqiptar po hyn në fazën më delikate dhe çdo pikë, nga kreu deri në fund, do të peshojë shumë.

Top Channel